Kafshoi rivalin në ring, për boksierin konfirmohet vendimi i ‘tmerrshëm’

Kafshoi rivalin në ring, për boksierin konfirmohet vendimi i ‘tmerrshëm’

Boksieri britanik Kash Ali, protagonist një muaj më parë i një gjesti absurd në ring, ku kafshoi në bark rivalin e tij David Price, është pezulluar me 6 muaj.

Këshilli Britanik i Boksit ka pezulluar për 6 muaj licensën e boksierit 27-vjeçar Ali edhe pse ai kërkoi ndjesë pas duelit për atë gjest.

Sfida mes Ali dhe Price ishte e vlefshme për peshën e rëndë dhe u zhvillua më 30 mars në Liverpool.

Ky incident ndodhi në rundin e pestë, kur të dy boksierët ishin shtrirë në tapet. Në ato momente, Ali kafshoi në bark Price, çka detyroi gjyqtarin të ndalte sfidën.

Përveç pezullimit 6-mujor, boksieri Kash Ali duhet të paguajë edhe një shumë prej 10 mijë funtesh për atë gjest.

“Unë kërkova ndjesë për atë veprim të gabuar. Më vjen zor për atë që ndodhi dhe për mënyrën se si rrodhi ajo përballje”, tha Ali, që ka 23 fitore e 6 humbje në karrierë.