Kampionati Botëror “Katari 2022” ishte arsyeja e takimit të abasadorit të këtij shteti, Ali bin Hamad al-Marri, me gazetarët sportiv nga Kosova.
Në takimin e mbajtur në “Swiss Diamond”, të mërkurën, me fillim nga ora 14:00, Ali bin Hamad al-Marri tregoi për infrastrukturën e stadiumeve – në prag të kompeticonit më të madh për botën e futbollit.
Ai prezantoi një nga një, të gjitha “impiantët” ku do të zhvillohen ndeshjet, ndërsa tregoi që pas turneut, rreth 170 mijë ulëse do të çmontohen dhe do t’u dhurohen vendeve në zhvillim.
1. Stadiumi “Al Bayt“
Qyteti pritës: Al Khor.
Kapaciteti: 60 mijë.
Gjendja e ndërtimit: I gatshëm.
Ndeshjet e planifikuara: Ndeshja e hapjes dhe ndeshjet e tjera deri në gjysmëfinale.
Projekti i Fondacionit “Aspire Zone” .
Ky stadium ka një kapacitet deri në 60 mijë spektatorë. Ai karakterizohet nga një strukturë unike, e cila është në formën e një tende gjigande që mbulon të gjithë stadiumin. Si i tillë, stadiumi mban emrin Al-Bayt, i frymëzuar nga “bayt al-sha’ar”, tenda tradicionale arabe e përdorur historikisht nga popullatat nomade në Katar dhe rajonin e Gjirit.
Dizajni i stadiumit nderon të kaluarën dhe simbolizon të tashmen e Katarit, duke qenë një model i zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së gjelbër. Pas turneut, pjesa e sipërme e stadiumit do të çmontohet dhe ulëset e hequra do t’u dhurohen vendeve të tjera.
2. Stadiumi “Ahmad Bin Ali“
Qyteti pritës: Al Rayyan.
Kapaciteti: 40 mijë.
Gjendja e ndërtimit: I gatshëm
Ndeshjet e planifikuara:
Ndeshjet e grupeve dhe të fazës së 1/8-ave.
Stadiumi Ahmad Bin Ali ndodhet në qytetin Al Rayyan, në të dalë të kryeqytetit Doha. Për të nxënë 40 mijë spektatorë, ai është zgjeruar duke përdorur elementë të lëvizshëm në montimin e pjesës së sipërme të stadiumit, për të qenë gati në kohë për Kampionatin Botëror të futbollit FIFA 2022.
Stadiumi reflekton kulturën e Katarit përmes “fasadës së tij të valëzuar” spektakolare. Kapaciteti i tij do të reduktohet deri në 20 mijë vende pas turneut dhe ulëset e hequra do t’i dhurohen projekteve të zhvillimit të futbollit jashtë vendit.
3. Stadiumi “Al Janoub“
Qyteti pritës: Al Wakrah
Kapaciteti: 40 mijë.
Gjendja e ndërtimit: I gatshëm.
Ndeshjet e planifikuara: Ndeshjet e grupeve dhe të fazës së 1/8-ave.
Stadiumi “Al-Janoub” ndodhet në Al Wakrah, rreth 18 km larg kryeqytetit Doha dhe ka një kapacitet prej 40 mijë spektatorësh. Ai është pjesë e një kompleksi më të gjerë sportiv që përmban pista çiklizmi dhe kuajsh, dyqane, restorante dhe klube sportive.
Pas Kampionatit Botëror të Futbollit FIFA 2022, kapaciteti i stadiumit do të reduktohet në 20 mijë vende, duke garantuar një atmosferë elektrizuese për ndeshjet e Ligës së Katarit.
4. Stadiumi Ndërkombëtar “Khalifa“
Qyteti pritës: Doha.
Kapaciteti: 40 mijë.
Gjendja e ndërtimit:I gatshëm.
Ndeshjet e planifikuara: Ndeshjet e grupeve, fazën e 1/8-ave dhe ndeshjen për vendin e tretë.
Stadiumi Ndërkombëtar “Khalifa” u ndërtua fillimisht në vitin 1976, ndërsa u ridizenjua dhe u zgjerua më 2005-ën, për të shërbyer si qendra e Lojërave Aziatike 2006, të organizuara nga Katari.
Në strukturën e tij, stadiumi përmban harqe të gjera dhe stenda të mbuluara pjesërisht. Ai konsiderohet si qendra e Aspire Zone, një kompleks sportiv ky që përbëhet nga Aspire Academy for Sports Excellence, Hamad Aquatic Center, ASPETAR Sports Medicine Hospital dhe një sërë strukturash të tjera sportive.
Nëpërmjet disa korridoreve të shkurtra, stadiumi komunikon me Muzeun 1, 2, 3 Olimpik dhe Sportiv të Katarit, për të nxjerrë në pah lidhjen dhe krenarinë e këtij vendi me të kaluarën e tij, ndërsa vazhdon udhëtimin drejt një të ardhmeje emocionuese.
5. Stadiumi “Education City”
Qyteti pritës: “Al Rayyan” (Education City)
Kapaciteti: 40 mijë.
Gjendja e ndërtimit: I gatshëm.
Ndeshjet e planifikuara: Ndeshjet e grupeve, fazën e 1/8-ave dhe çerekfinalet.
Stadiumi i ri Education City ndodhet në mes të disa kampuseve universitare të klasit botëror në Qendrën Globale të Katarit për Ekselencën, Education City.
Stadiumi nxë deri në 40 mijë spektatorë dhe ka formën e një diamanti të dhëmbëzuar. Është lehtësisht i aksesueshëm nga tifozët ose nëpërmjet rrugës, ose përmes metrosë. Pas finaleve të Kampionatit Botëror, stadiumi do të mbajë 25 mijë ulëse, për t’u përdorur nga ekipet sportive universitare.
Për dekadat e ardhshme, Stadiumi Education City (i Fondacionit të Katarit) do të shërbejë si simbol i inovacionit, qëndrueshmërisë dhe përparimit, në përputhje me Vizionin Kombëtar të Katarit 2030 dhe synimet e Fondacionit të Katarit dhe Komitetit Suprem për Projektet dhe Trashëgiminë.
6. Stadiumi “Lusail“
Qyteti pritës: Doha.
Kapaciteti: 80 mijë.
Gjendja e ndërtimit:
Gati në përfundim, hapet së shpejti
Ndeshjet e planifikuara:
Të gjitha ndeshjet, përfshirë edhe ndeshjen finale
Ky stadium ndodhet në seksionin Al-Daayen, i cili është pjesë e planit të zhvillimit të Lusail City. Ai është një nga stadiumet kryesore të Kampionatit Botëror të Futbollit “Katar9 2022” dhe do të presë ceremoninë përmbyllëse të turneut.
Tifozët do të mund të arrijnë aty nëpërmjet rrugëve të rinovuara së fundmi, Metrosë së Dohas ose shërbimit të transportit të lehtë “Lusail Light Rail Transit”. Ndërkaq, ata mund ta kalojnë kohën e tyre nëpër parqe të ndryshme ose në parkun tematik (qyteti i argëtimit).
7. Stadiumi “974”
Qyteti pritës: Doha.
Kapaciteti: 40 mijë.
Gjendja e ndërtimit: I gatshëm.
Ndeshjet e planifikuara: Ndeshjet e grupeve dhe fazën e 1/8-ave..
Projekti i stadiumit “974” është pionier në botën e ndërtimit të stadiumeve sportive. Ai përbëhet nga kontejnerë transporti dhe në të ardhmen do të çmontohet tërësisht, me qëllim që materialet e tij të përdoren sërish.
Kampionati Botëror i FIFA-s “Katar 2022” do të jetë jo vetëm turneu i parë i këtyre përmasave që zhvillohet në botën Arabe, por do të jetë njëkohësisht kampionati me distancat më të shkurtra, duke bërë të mundur që tifozët të marrin pjesë në më shumë se një ndeshje në ditë.
Për të përballuar temperaturat e larta të stinës së verës, çdo stadium, impiant stërvitor dhe zonë tifozësh është e pajisur me teknologji ftohëse që operon me energji diellore, për ta mbajtur temperaturën në 27ºC./Insajderi.com