Ministria e jashtme e Katarit ka refuzuar një listë me 13 kushte të caktuara nga katër shtete arabe heqjen e sanksioneve, duke thënë se kjo listë nuk është e arsyeshme dhe e zbatueshme.
Katari është nën sanksione të rrepta nga Arabia Saudite dhe aleatët e saj, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahraini. Ata e akuzojnë Katarin për mbështetje të terrorizmit.
Ndër gjërat tjera, ata kanë kërkuar mbylljen e televizionit Al Jazeera, i cili financohet nga qeveria e Katarit.
Ministria e jashtme e Emirateve ka thënë se mund të shkëputin marrëdhëniet tërësisht.
Por Anwar Gargash ka shtuar se shtetet nuk po kërkojnë të përmbysin kryesinë e Katarit, raporton Associated Press, shkruan BBC News.
Katar ka qenë nën sanksione diplomatike dhe ekonomike për më shumë se dy javë, teksa Irani dhe Turqia kanë furnizuar në vazhdimësi vendin me ushqim dhe të mira të tjera materiale.
Katari mohon akuzat që po financon terrorizmin dhe po ushqen destabilizim regjional.
Katër shtetet gjithashtu duan që Katari të reduktojë marrëdhëniet me Iranin dhe të mbyllë një bazë ushtarake turke, duke vënë kështu një afat të fundit kohor prej 10 ditës që nga e premtja që shkoi. /Insajderi.com