Kategoria Superiore: Laçi fiton ndaj Kukësit

Kategoria Superiore: Laçi fiton ndaj Kukësit

Laçi nuk ka zhgënjyer, teksa ka mposhtur me rezultatin 2-0 Kukësin, në ndeshjen e vlefshme për javën e 31-të në Kategorinë Superiore, njofton Insajderi.

Heroi i skuadrës së Duros padyshim ishte Regi Lushkja, i cili realizoi të dy golat në këtë takim, duke i dhënë fitoren skuadrës së tij. Rezultati u zhbllokua në minutën e gjashtë, ku Lushkja shndërroi në gol një penallti të fituar nga Mazrekaj. Në minutën e 31-të, ishte përsëri Lushkja, i cili pas një topi perfekt të marrë nga Harmon, bën një gjuajtje shumë të bukur në hyrje të zonës, për ta ndalur topin në fundin e rrjetës.

Pjesa e dytë foli më shumë për Kukësin, që dominoi, por traversa dhe portieri Sherri i mohuan golin skuadrës së Mirel Josës, që del me kokën poshtë nga kjo ndeshje.

Laçi, marrin kështu një fitore shumë të rëndësishme, e cila i ngjit në vendin e tretë me 53 pikë, po aq sa Vllaznia që në mbrëmje luan me Teutën kryesuese. Ndërkohë Kukësi mbetet në kuotën e 36 pikëve, në vendin e gjashtë. /Insajderi.com