Kategoria Superiore: Teuta dhe Kukësi ndajnë pikët në Durrës

Kategoria Superiore: Teuta dhe Kukësi ndajnë pikët në Durrës

Në shifrat 2:2 është mbyllur takimi i sotëm mes Teutës dhe Kukësit në Kategorinë Superiore të Shqipërisë, njofton Insajderi.

Durrsakët nuk kanë mundur të ruajnë avantazhin e tyre, teksa ‘verilindorët’ kanë barazuar dy herë rezultatin gjatë 90 minutave. Dejvi Bregu është ai që hap serinë e golave në minutën e 32-të të ndeshjes, ku konverton në gol një penallti të akorduar.

Në pjesën e dytë ishte Eze që kundërpërgjigjet po nga pika e bardhë e njëmbëdhjetë metërshit. Por festa e ekipit të Josës do të shuhej shumë shpejt. Vetëm katër minuta më vonë ishte sërish Bregu ai që këtë herë me një ekzekutim perfekt nga goditja e këndit kthen sërish lojën në favor të Teutës.

E kur dukej se ekipi i Martinit do të linte fushën e “Niko Dovanas” me tre pikët e fituara, Tsintsadze gjen rrugën e rrjetës. Ishte minuta e 86-të, kur gjeorgjiani shfrytëzon një goditje nga këndi për të barazuar gjithçka.

Pas javës së 21-të, me këtë barazim Teuta ngjitet në vendin e tretë me 37 pikë, ndërsa në anën tjetër, Kukësi me këtë pikë shkon në kuotën e 30 pikëve, duke u renditur në të pestit në tabelë. /Insajderi.com