
Ditën e sotme është mbyllur java e 26-të në Kategorinë Superiore, me dy sfidat e luajtura në orën 16:00, Tirana-Apolonia dhe Kukësi-Skënderbeu, njofton Insajderi.
Kampionati bëhet edhe më interesant pas takimeve të sotme, teksa valles së titullit tashmë i shtohet edhe një tjetër skuadër, Tirana. ‘Bardheblutë’ kanë përmbysur bindshëm Apoloninë, ndaj të cilëve kanë triumfuar me shifrat 5-2.
Me këtë fitore, kampionët në fuqi të kampionatit shqiptar shkojnë në kuotën e 41 pikëve, vetëm pesë më pak se Teuta e Vllaznia që mbajnë vendin e parë.
Ndërkohë Kukësi vijon të mbetet në luhatje. Skënderbeu shtang verilindorët, duke i mposhtur me rezultatin 0-1 në transfertë. Kështu ekipi i drejtuar nga Memelli merr tre pikë mjaft të vlefshme në luftën për mbijetesë, duke shkuar vetëm katër pikë larg Bylisit të vendit të tetë. /Insajderi.com