Katër persona të dyshuar janë vrarë dhe dy të tjerë janë arrestuar nga Policia në Haiti, disa orë pas vrasjes së presidentit të vendit, Jovenel Moise, në rezidencën e tij private në periferi të kryeqytetit, Port-au-Prince, gjatë orëve të para të 7 korrikut, transmeton Insajderi.
Siç bën të ditur shefi i Policisë së Haitit, Leon Charles, tre oficerë policie të mbajtur peng nga të dyshuarit e armatosur, janë liruar në orët e vona të së mërkurës.
Ngjarjet vijnë mes një kaosi në rritje në një vend ku është shtuar dhuna e bandave dhe kishte pasur protesta ndaj sundimit gjithnjë e më autoritar të presidentit.
Kryeministri i përkohshëm haitian, Claude Joseph, gjatë një fjalimi në televizionin shtetëror të mërkurën në mëngjes, tha se Haiti ka shpallur gjendjen e shtetrrethimit. Joseph tha se ai po drejton vendin dhe në të po zbatohet ligji ushtarak, ndërsa kufijtë e Haitit dhe aeroporti kryesor i tij janë mbyllur.
Zonja e Parë Martine Moise, e cila u qëllua gjatë sulmit, është në gjendje të qëndrueshme, por kritike, tha ambasadori I Haitit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bocchit Edmond, gjatë një konference për media, raporton VoA.
Po bëhen përgatitje për ta transferuar atë në një spital në Miami për trajtim. /Insajderi.com