Komisioni Kombëtar i Alfabetit i Kazakistanit prezantoi alfabetin e ri të vendit, i cili u përshtat me shkronjat latine që gradualisht do të futen në zbatim në vend në periudhën midis viteve 2023-2031, transmeton Insajderi.
Komisioni Kombëtar i Alfabetit i Kazakistanit u mblodh nën kryesinë e kryeministrit Askar Mamin, raporton Anadolu Agency (AA).
Në takim, alfabeti i ri kazak u prezantua nga anëtarët e komisionit, përshtatur me shkronjat latine, të cilat do të përdoren gradualisht në vend midis viteve 2023 dhe 2031.
Alfabeti, i zhvilluar nga Instituti i Gjuhësisë Ahmet Baytursunov, u përgatit sipas parimit të “një tingull-një shkronjë”.
Në alfabetin e ri kazak me shkronja latine ka 31 shkronja themelore, 9 prej të cilave janë zanore. Megjithatë, shkronjat si “x” dhe “w” që nuk janë përfshirë në alfabet do të përdoren në fjalët me origjinë të huaj.
Në fjalën e tij në takim, kryeministri Mamin tha se “Versioni i përmirësuar i alfabetit do t’i japë një shtysë të re përhapjes së gjuhës kazake dhe do të kontribuojë në modernizimin e saj”.
Siç njoftohet, gjatë procesit të zhvillimit të alfabetit në fjalë, janë ekzaminuar më shumë se 40 versione dhe janë kryer anketa në lidhje me shkrimin dhe leximin me alfabetin e ri në institucionet arsimore.
Kazakistani, i cili ka përdorur alfabetin cirilik që nga viti 1940, vendosi të kalojë në alfabetin latin gradualisht në vitin 2017. /Insajderi.com