Kelmendi e Gega, shqiptaret që shkëlqyen këtë vit

Kelmendi e Gega, shqiptaret që shkëlqyen këtë vit

Majlinda Kelmendi dhe Luiza Gega mund të konsiderohen edhe femrat më të suksesshme të sportit shqiptar të vitin 2016. Xhudistja nga Peja realizoi ëndrrën e saj për medaljen e artë olimpike, madje për herë të parë himni i Kosovës u luajt në një olimpiadë falë punës dhe talentit të xhudistes.

Edhe pse për shumë vite një prej sportisteve më të suksesshme në disiplinën e saj, Kelmendi nuk kishte arritur të triumfonte në skenën më të rëndësishme të sportit botëror dhe olimpiada e Rios e shpërbleu për sakrificat e mëdha të bëra gjatë vitit 2016 pas shumë muajve të kaluar mes palestrës dhe infermierisë për shkak të një dëmtimi në shpinë.

25-vjeçarja triumfoi në kategorinë 52 kg pasi ndryshe nga 4 vjet më parë u shfaq perfekte në olimpiadë, duke mos gabuar në asnjë prej përballjeve që kulmuan me finalen ndaj italianes Odette Giuffrida.

Kelmendi e nisi garimin e saj në fazën e 1/8 kur arriti të mundë në vetëm 25 sekonda zviceranen Evelyne Tschopp me një “ippon” prej mjeshtre të vërtetë. Në çerekfinale përballë saj ishte xhudistja nga Mauritius, Christianne Legentil, që e kishte eliminuar në Olimpiadën e Londrës. Por këtë herë Majlinda, me katër vjet përvojë më shumë mbi supe dhe si kampione e Botës arriti të shfaqë gjithë forcën e saj duke fituar pa shumë probleme për të siguruar një vend në gjysmëfinale. Përballë saj ishte japonezja Nakamura, një ish kampione e Botës.

Një finale e parakohshme e cila u kuptua dhe nga beteja e fortë mes dy xhudisteve. Japonezja që në fillim u ndëshkua me një penalitet dhe provoi të kthente ndeshjen duke provuar të rrëzojë në tapet Majlindën, por xhudistja pejane rezistoi për të marrë finalen e saj dhe njëkohësisht për të konfirmuar të parën medalje në një Olimpiadë për vendin e saj.

Një tjetër femër e suksesshme e sportit shqiptar në vitin 2016 konfirmohet Luiza Gega, e cila u shpall nënkampione Europë në garën 3 mijë metra me pengesa. Në këtë mënyrë, ajo u bë shqiptarja e pare qe shpallet nënkampione e kontinentit në një kampionat europian te atletikes. 28 vjeçarja u rendit e dyta në garën e 3000 metrave me pengesa duke ndalur kronometrin në 9’28”52 për të thyer kështu me rreth 4 sekonda dhe rekordin kombëtar, shkruan gazeta-shqip.

Një arritje fantastike kjo për Gegën që e niste me pretendime të mëdha këtë garë pasi kishte dalë e para në garën kualifikuese pak ditë më parë. Ishte e lehtë të dallohej në sytë e atletes shqiptare pas garës zhgënjimi pasi ishte e bindur se mund të kishte rrëmbyer medaljen e artë gjithsesi dhe ajo e argjendtë dhe titulli nënkampione e Europës janë padyshim një arritje e shkëlqyer dhe mbi të gjitha shpresëdhënëse për atletiken shqiptare.