Majlinda Kelmendi nuk është futur në histori vetëm si e para sportiste që i siguroi një medalje të artë olimpike shtetit të Kosovës, pas triumfit të siguruar në sportin e xhudos në “Rio 2016”, por ka triumfuar së fundi edhe ndaj disa kritikëve, të cilët dyshonin për paraqitjen e saj, duke kaluar me sukses edhe testin për doping.
Gazeta britanike “The Guardian” ka raportuar të hënën se xhudistja kosovare kishte refuzuar të kryente kontrollet anti-doping para dy muajsh në Francë, teksa po stërvitej me ekipin përfaqësues kosovar të xhudos.
Lajme të tilla ishin hedhur poshtë nga kreu i Federatës kosovare të Xhudos, Agron Kuka, i cili mohonte të kishte ndonjë vërtetësi në atë që ishte shkruar, por theksonte se bëhej fjalë për trillime të qarqeve të ndryshme që nuk ia donin të mirën sportit në Kosovë.
Megjithatë, gjithçka u vërtetua të marten nga një njoftim i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, të cilët treguan se një javë pas refuzimit të Majlindës për t’iu nënshtruar kontrolleve, ishte kontrolluar nga autoritetet e IJF-së dhe kishte dalë e pastër.
“Pasi presidenti i IJF-së Marius Vizer mori vesh për këtë çështje, vendosi që të kontrollonte nga java e ardhshme të gjithë atletët të cilët kishin refuzuar. Këto kontrolle të Kelmendit kanë qenë negative”, ka shkruar Federata Ndërkombëtare në një deklaratë, raporton Insajderi.
Kelmendi është futur në histori si medalistja e parë e Kosovës në Lojërat Olimpike. /Insajderi.com