Khalilzad shkon në Kabul për të sqaruar deklaratat e Trumpit

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Afganistanin, Zalmay Khalilzad, ka udhëtuar drejt Kabulit, për një rreth të ri të bisedimeve të paqes, përderisa lufta në këtë vend është përshkallëzuar.

Khalilzad shkon në Kabul për të sqaruar deklaratat e Trumpit

Udhëtimi përfshin edhe një vizitë në Katar dhe është pjesë e një “përpjekjeje të përgjithshme për të lehtësuar një proces paqësor, që synon ti japë fund luftës gati 18 vjeçare në Afganistan”.

Në Kabul, Khalilzad do të konsultohet me qeverinë afgane për të diskutuar “hapat e ardhshëm në procesin e paqes”, që do të përfshijë “identifikimin e një ekipi negociator kombëtar që mund të marrë pjesë në negociatat brenda-afgane”.

Khalilzad do të diskutojë me zyrtarët afganë, edhe rreth deklaratave të presidentit amerikan, Donald Trump, në të cilat ai kishte thënë se mund ta fitonte luftën në Afganistan për vetëm 10 ditë “edhe pse kjo do të nënkuptonte fundit e ekzistencës së Afganistanit”, transmeton REL.

“Unë kam plane për Afganistanin që, nëse do të doja ta fitoj atë luftë, Afganistani do të fshihej nga faqja e dheut. Do të zhdukej”, pati deklaruar Trump.

“Lufta do të përfundonte për 10 ditë, por unë nuk dua ta bëj këtë, nuk dua ta ndjek këtë rrugë”, kishte deklaruar Trump.

Menjëherë pas kësaj deklarate reaguan autoritetet afgane.

“Kombi afgan nuk do të lejojë kurrë ndonjë fuqi të huaj për të përcaktuar fatin e tij”, tha në një deklaratë më 23 korrik, Sediq Sediqqi, zëdhënës i presidentit afgan.

Në periudhën e fundit janë shtuar incidentet në Afganistan. Militantët talibanë, përmes sulmeve vetëvrasëse, kanë sulmuar pandërprerë forcat e sigurisë afgane në disa pjesë të vendit.

I dërguari i posaçëm, Khalilzad po zhvillon negociata me talibanët në mënyrë që të arrihet një marrëveshje paqeje, mirëpo përfaqësuesit e talibanëve nuk po pranojnë të diskutojnë me qeverinë afgane.