Një punonjëse australiane e transmetuesit shtetëror të Kinës “CGTN” është arrestuar nën dyshimin e “furnizimit të paligjshëm të sekreteve shtetërore jashtë vendit”, tha Canberra të hënën, shkruan CNN, transmeton Insajderi.
Në një deklaratë, ministrja e jashtme australiane Marise Payne tha se Cheng Lei, e cila është mbajtur në Kinë që prej 13 gushtit 2020, ishte arrestuar zyrtarisht më 5 shkurt.
“Autoritetet kineze kanë deklaruar që zonja Cheng u arrestua nën dyshimin e furnizimit të paligjshëm të sekreteve shtetërore jashtë vendit”, tha Payne, duke shtuar se “Qeveria australiane ka ngritur shqetësimet e saj serioze në lidhje me ndalimin e Cheng, duke përfshirë mirëqenien e saj dhe kushtet e ndalimit”.
Zyrtarët konsullorë australianë e kanë vizituar Cheng rregullisht që kur u arrestua, së fundmi më 27 janar 2021.
Cheng ishte një spikere biznesi në CGTN, krahu ndërkombëtar i transmetuesit shtetëror kinez CCTV, i cili që atëherë ka hequr të gjitha referencat ndaj saj nga faqja e saj në internet dhe mediat sociale. /Insajderi.com