Kina ngritë akuza ndaj ish presidentit të Interpol-it

Prokurorët kinezë ngritën zyrtarisht akuza për shpërdorim detyre dhe ryshfet kundër ish-presidentit të Interpolit Meng Hongwei.

Kina ngritë akuza ndaj ish presidentit të Interpol-it

Njoftimi u bë të premten nga zyra e prokurorit në qytetin verilindor të Tianjin. Në njoftim thuhej se zoti Meng ka abuzuar me pushtetin gjatë kohës që mbante detyrën e zëvendësministrit për sigurinë publike, si dhe kreut të rojës bregdetare të Kinës dhe se kishte marrë në formë ryshfeti “një shumë të madhe” parash.

Bashkëshortja e zotit Meng, Grace, e cila jeton në Francë, i ka hedhur poshtë akuzat dhe thotë se arrestimi i tij është bërë për qëllime politike.

Meng Hongwei ishte përjashtuar nga detyrat publike dhe Partia Komuniste kineze, përpara se të arrestohej zyrtarisht muajin e kaluar.

Ai u zgjodh president i Interpolit në 2016-n. Në shtator të vitit të kaluar ai rezultoi i zhdukur gjatë një vizite në vendin e tij të origjinës.

Interpoli u detyrua t’u bënte një kërkesë zyrtare autoriteteve kineze për informacion rreth vendndodhjes së zotit Meng.

Më vonë, Pekini njoftoi se ai ishte arrestuar lidhur nën akuzat për marrje ryshfeti dhe se kishte dhënë dorëheqjen nga Interpoli.

Ka dyshime se Meng Hongwei është një prej shumë zyrtarëve të Partisë Komuniste, të cilët kanë humbur mbështetjen politike të presidentin kinez Xi Jinping, për shkak të perceptimit për mungesë ndershmërie e korrupsion.