Kisha shndërrohet në birrari

Kisha shndërrohet në birrari

Në Shtetet e Bashkuara ekzistojnë me qindra-mijëra kisha. Dhe megjithëse çelen çdo vit rreth 5 mijë kisha të reja, po kaq prej tyre edhe mbyllen, kryesisht për arsye ekonomike. Kishat vakante pastaj rimodelohen dhe ripërdoren si komplekse apartamentesh, librari apo muzeume. Një kishë madje është kthyer në birrari, në qytetin Pittsburgh, të shtetit Pensilvani.

Kjo godinë dikur kishë katolike, nga jashtë nuk të lë asnjë ndjesi të pazakontë. Por, brenda ajo nuk ka asgjë tradicionale. Stolat janë vendosur përqark tavolinave të ngrënies. Aty ku dikur njerëzit futeshin për t’u rrëfyer, tashmë gjendet një bar me pije të forta. Dhe aty ku dikur ndodhej altari, tashmë gjendet punishtja e birrës.

23 vite më parë u bë ceremonia e çshenjtërimit të Kishës së Gjon Pagëzorit. Ekonomia që dikur lulëzonte, pati filluar rënien. Gjithnjë e më shumë njerëz largoheshin, duke mbetur kështu shumë pak besimtarë që vinin në kishë.

“Kjo kishë u ndërtua në vitin 1902. Kur doli në shitje, unë u impresionova nga godina dhe mendova të krijonim një lloj pub-i të stilit evropian”, thotë Sean Casey, pronar i kompanisë “Church Brew Works”, përcjell Vizion Plus.

Kështu lindi një punishte e vogël birre. Sfida më e madhe ishte instalimi i gjashtë çisternave të mëdha në vendin ku dikur ndodhej altari.

Prodhimet e kësaj punishteje me llojet e birrës me emra si “E arta qiellore”, apo “E errëta e murgut të përkorë”, kanë fituar shumë çmime në festivale ndërkombëtare. Por, nuk është vetëm birra që tërheq vendasit dhe turistët në këtë pub.