
Largimi i papritur i Diego Costas nga Atletico Madrid, i cili prishi kontratën gjashtë muaj para fundit të saj, ka krijuar shumë bujë në mediat spanjolle, njofton Insajderi.
Një ngjarje që surprizoi tifozët e ekipit që kryeson kampionatin spanjoll të futbollit.
Diego Costa theksoi se po e bën këtë veprim për shkaqe familjare, por e vërteta është ndryshe dhe prapaskenat kanë dalë në dritë.
Ato i ka zbuluar De La Morena, gazetari i “El Transistor”. Ky i fundit deklaron se sulmuesi i njohur ka pasur një sherr me Nelson Vives, ndihmësin e Diego Simeones.
Situata është tensionuar, ofendimet nuk kanë munguar dhe palët kanë qenë shumë afër përdorimit të duarve ndaj njëri-tjetrit.
Një gjë e tillë ka sjellë fundin e aventurës së lojtarit me Atletico Madrid, që ka piketuar Arkadiusz Milik si pasuesin e tij.
Akordi me bomberin polak është arritur, ndërsa tani duhet gjetur gjuha e përbashkët me klubin e Napolit që synon të arkëtojë 18 milionë euro nga shitja e Milik. /Insajderi.com