Një klub i formuar në vitin 1986 po synon që të shkruajë historinë e komunitetit shqiptar në Suedi, me ngjitjen në Divizionin e Tretë të Suedisë vitin e ardhshëm.
Dy flamuj kombëtar shqiptar janë të vendosur në hyrjen e stadiumit të klubit Kosova IF në Malmo të Suedisë. Klubi që bën gara në Divizionin e Tretë të futbollit të Suedisë është identiteti i rreth 70 mijë shqiptarëve që banojnë në Suedi.
Skuadra përbëhet më shumicë të futbollistëve me origjinë shqiptare. Prej 26 futbollistëve, vetëm 6 nuk janë shqiptarë.
Ky klub, që mban emrin e shtetit më të ri evropian i ka vënë vetës synime të mëdha para nisjes së stinorit të Divizionit të Katërt në Suedi. Këtë e konfirmon sekretari dhe anëtari i Kryesisë së Kosova IF Drilon Ibërdemaj.
“Synimet janë pa dyshim avancimi më tutje, do të thotë ngritja e ekipit në ligën e tretë te Suedisë. Sistemi futbollistik i Suedisë përbëhet nga 10 nivele nga Allsvenskan që është liga ma e naltë deri të divizionit të tetë”, thotë Ibërdemaj për Gazetën Insajderi.
E klubi kuqezi i futbollit suedez është përforcuar seriozisht para nisjes së sitnorit 2017 në futbollin suedez. Ka transferuar lojtarë shqiptarë që kishin bërë emër në Suedi dhe në Evropë.
Të martën, klubi njoftoi për arritjen e marrëveshjes me ish-futbollistin shqiptar të përfaqësueses së Maqedonisë, Bashkim Sopi, derisa javë më parë ka angazhuar edhe ish-futbollistin e Blackburn Rovers dhe Kalmar FF, Besnik Rrustemaj.
“Sivjet kemi disa lojtarë si Besnik Rustemaj që kanë përfaqësuar Blackburn në Angli, Kalmar FF në ligën elitë të Suedisë si dhe Koblenz të Gjermanisë. Një lojtar tjetër më renome është Baskim Sopi që ka përfaqësuar kombëtaren e Maqedonisë dhe ka qenë lojtar profesionist në Norvegji por edhe Suedi”, rrëfen anëtari i Kryesisë së Kosova IF, Drilon Ibërdemaj.
“Por duhet edhe të ceket që në kemi Xhevdet Llumnicen, lojtar i njohur kosovar si trajner dhe besojmë shumë në njohuritë e tij në drejtimin e ekipit tonë”, tregon ai.
Entuziazmi dhe besimi në aftësitë e skuadrës e bëjnë Ibërdemajn që të ëndërrojë ngritjen e klubit në elitën e futbollit suedez në të ardhmen. Sekretari i Kosova IF beson se klubi mund të shkruajë historinë e shqiptarëve në Suedi.
“Më përkushtim dhe përkrahje të mëtutjeshëm nga sponzorët tonë në besojmë që nuk ka limit në mundësitë tona për tu ngritur në elitën e futbollit Suedez. Sot kemi një grup të aftë të futbollistëve që kanë përfaqësuar shumë ekipe më renome”, deklaron ai.
Klubi identifikohet me shqiptarët e Suedisë, ashtu sic edhe emigrantët shqiptarë indetifikohen me klubin. Tifozët shqiptarë janë përkrahësit më të mëdhënj të klubit.
“Identiteti është plotësisht Shqiptar duke pas parasysh që krejt kryesia eshte më prejardhje shqiptare si dhe shumica e lojtarëve. Tifozët që na përcjellin vijnë nga gjith trojet shqiptare. Por kuptohet që në kemi edhe lojtar Suedez dhe nga ata që jetojnë në Suedi dhe kam orgjin nga shtete të ndryshme të botës”, tregon sekretari i klubit.
Në klubin e Kosovës luajnë edhe futbollist që kanë dalë nga futbolli i Kosovës. Kontribut në klubin kuqezi jep edhe ish-futbollisti i Trepçës Bardhyl Kaçiu.
E Ibërdemaj nuk e përjashton mundësinë që ata të transferojnë futbollistë të tjerë nga Kosova.
“Momentalisht nuk kemi një kontakt të tillë më lojtarë nga Kosova por kuptohet që ne jemi të hapur për një bashkëpunim ma të thellë si më ekipet ashtu edhe lojtarë nga Kosova”, thotë Ibërdemaj.
Ibërdemaj thotë se klubi nuk është vizituar asnjëherë nga trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, i cili jeton në Suedi.
Shoqata Kulturore Sportive Kosova është formuar në vitin 1974 në Malmö të Suedisë nga një grup punëtorësh nga Kosova dhe vise të tjera shqiptare. Emri Kosova ishte vendosur sepse shumica e diasporës shqiptare në Suedi janë më origjinë nga Kosova.
Në vitin 1986 u formua ekipi futbollistik Kosova për të bërë gara zyrtarisht në ligët e ulëta të Suedisë. /Insajderi.com