Kodi telefonik +383 nuk po funksionon

Kodi telefonik +383 nuk po funksionon

Verifikimi i dyfishtë është një procedurë që tashmë kërkohet nga shumë aplikacione të cilat kanë gjetur përdorim të shtuar sot në botë, qoftë për një shfletim të postës elektronike (e-mail) apo edhe për aplikacionet e famshme të platformave si Microsoft, Google, Viber, WhatsApp, Snapchat e të tjera.

Ky lloj verifikimi, kërkon që krahas fjalëkalimit, përdoruesit të përdorin edhe një kod, i cili atyre u vjen përmes numrit të tyre personal të telefonit.

Përderisa në disa prej këtyre platformave të mëdha, autoritetet e Kosovës kanë arritur ta përfshijnë kodin e ri, +383, problemet paraqiten me aplikacione me të vogla.

Fillon largimi i kodeve të huaja telefonike

Qëndresa Ajeti, një kliente e operatorit të telefonisë mobile “Vala”, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka arritur të bëjë shkarkimin e disa aplikacioneve nga interneti për shkak të pamundësisë që të pranojë kodin e nevojshëm në numrin e saj të telefonit.

“Në shumë raste nuk kam arritur të bëj shkarkimin e aplikacioneve të ndryshme për shkak se kodi i cili duhet të vijë në telefon, nuk ka ardhur. Nuk e di se ku qëndron problemi”, thotë ajo.

Një pjesë e madhe e këtyre problemeve, sipas kryetarit të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi, janë si pasojë e mospërfshirjes së Kosovës në listën zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se këto probleme kanë ardhur pas kalimit të kodeve të huaja ndërkombëtare, në kodin shtetëror të Kosovës +383.

“Ka shumë aplikacione në botë që e përdorin verifikimin e dyfishtë si një nga opsionet për të arritur sigurinë në mënyrë që të auto-identifikohet përdoruesi direkt i llogarisë së caktuar”.