KOK zbuloi Rrathët Olimpik në Prishtinë

KOK zbuloi Rrathët Olimpik në Prishtinë

Prej të martës edhe Kosova do të ketë Rrathët Olimpik.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, bashkë me ministren për Kulturë, Rini e Sport, Vlora Dumoshi, dhe rektorin e Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, kanë zbuluar Rrathët Olimpik.

Rrathët pesëngjyrësh që simbolizojnë pesë kontinente, janë vendosur nga KOK-u para Shtëpisë së Sportit në Prishtinë, ku ndodhen edhe zyret e KOK-ut dhe shumë federatave sportive.

Presidenti Hasani, duke vlerësuar lartë praninë e ministres Dumoshi dhe rektorit Dema, foli për rëndësinë që ka 23 qershori – Dita Olimpike.


“Sot është Dita Olimpike, një ditë e veçatë për sportistët e Kosovës dhe komunitetin e sportit. Dita Olimpike lidhet me themelimin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, me ç’rast më 23 qershor të vitit 1894, kur janë ringjallur Lojërat Olimpike moderne, dhe që nga atëherë Lojërat Olimpike mbahen çdo katër vite. Kjo ditë Kosovën e gjen në një moment të mirë, kur kemi pesë norma Olimpike nga xhudoja dhe një nga mundja, si dhe presim që edhe ndonjë sportist tjetër të kemi me normë Olimpike dhe të përfaqësohemi sa më mirë”, tha ndër të tjera presidenti Hasani.


Ministrja Dumoshi theksoi se ky është një moment i veçantë dhe vendosja e këtyre Rrathëve do të kenë rëndësi të veçantë tek sportistët.

“Është një moment i veçantë, pasi ne tanimë jemi pjesë e Lojërave Olimpike, dhe kemi kampion Olimpik, të cilët do të jenë figurat kryesore për frymëzimin e të rinjëve. Prishtina është fisnikëruar me këta Rrath Olimpik, të cilët kanë mesazh për zhvillimin e sportit dhe paqes në botës, andaj MKRS gjithmonë do të jetë krahu i djathtë në nismat e tilla, me qëllimin e vetëm që Kosovën ta dërgojmë përpara përmes sportit”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi, duke falënderuar presidentin Hasani për nismat e tilla.


Kosova në Lojërat Olimpike ka një medalje të artë Olimpike, falë xhudistes Majlinda Kelmendi. Lojërat Olimpike Tokio 2020 mbahen verën e vitit të ardhshëm.

Insajderi.com