Komisioni miraton projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2019

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se programi është në harmoni me planin e punës së Qeverisë, përfshirë programin legjislativ të Qeverisë për këtë vit.

Komisioni miraton projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2019

Komisioni për Integrime Evropiane, ka miratuar Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit (PKZMSA) 2020-2024, njofton Insajderi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Driton Selmanaj, që para deputetëve të këtij komisioni ka prezantuar këtë program, tha se ai është në harmoni me planin e punës së Qeverisë, përfshirë programin legjislativ të Qeverisë për këtë vit.

Selmanaj është shprehur i bindur se do të arrijnë që gjatë këtij viti t’i realizojnë të gjitha obligimet e tyre.

Selmanaj ka folur edhe për rëndësinë e zbatimit të programit gjatë këtij viti në ndërlidhje me programin IPA 2 për përkrahje buxhetore për reformën në administratën publike, ku tha se kanë paraparë zbatimin prej 80 përqind të programit gjatë këtij viti.

Selamaj tha se ky është viti i tretë dhe i fundit për të përmbushur këtë obligim nga i cili në buxhetin e shtetit do të përfitojnë 0.4 milionë euro.

Deputetët anëtarë të këtij komisioni kanë kritikuar Qeverinë për shuarjen e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, derisa kanë kërkuar të dinë se a është bërë agjenci apo zyre.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Driton Selamanaj, tha se ka qenë vendim politik që Ministria e Integrimeve Evropiane të shuhet, ndërsa bëri të ditur se tashmë do të funksionojë si zyre në kuadër të Zyrës së Kryeministrit./Insajderi.com