Kompania beogradase humb betejën e parë juridike për Brezovicën

Një kompani serbe që menaxhon një pjesë të kompleksit turistik në Brezovicë, ka lëshuar afatet ligjore prej 30 ditësh për të bërë ankesë kundër vendimeve të Qeverisë për dhënien me koncesion të kompleksit një kompanie franceze. Si pasojë, ajo ka humbur të drejtën që të ankohet në institucionet e drejtësisë. Ankesa e parë i është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.

Kompania beogradase humb betejën e parë juridike për Brezovicën

Kompania “Inex” nga Beogradi, ka humbur betejën e parë juridike me Qeverinë e Kosovës për “pronësinë” e kompleksit turistik të Brezovicës.

Kompania beogradase që menaxhon këtë kompleks turistik të Kosovës edhe pas përfundimit të luftës e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pretendon se është pronare e kompleksit për shkak të investimeve që ka kryer dekada me parë.

Por, këto pretendime thuajse kanë marrë fund, për shkak se ka humbur rastin që brenda afatit prej 30 ditësh ta kontestojë vendimin e Qeverisë së Kosovës, për shpronësimin e kompleksit.

Humbjen e afatit e ka kontestuar Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, e cila ka marrë vendim që kërkesën për interpretim të ligjshmërisë së vendimeve të Qeverisë, ta shpall të papranueshme.

Pos humbjes së afatit për kontestim, Inex i është drejtuar Kushtetueses edhe pa shteruar mjetet e rregullta juridike – pa u ankuar në Gjykatën Supreme siç parashihet me ligjet në fuqi.

Parashtruesi i kërkesës, “Inex”, ka kontestuar vendimin final të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të 23 shtatorit 2015 dhe vendimin paraprak të Qeverisë se Republikës se Kosovës, të 3 shtatorit 2014.

Të dyja vendimet kanë të bëjnë me procedurën e shpronësimit me qellim të ndërtimit të qendrës turistike në Brezovicë.

Qeveria e Kosovës më 25 nëntor të vitit 2014 shpalli fituesin e tenderit të emërtuar “Propozimi për Zhvillimin, Financimin dhe Operimin e Qendrës Turistike në Brezovicë”.

Fitues doli konzorciumi i përbërë nga kompanitë: “Compagnie des Alpes”, “SA”, “PGI Managmanet” dhe “Outdoor Kosovo”.

Ky konzorcium ka marrë të drejtën që të shfrytëzojë këtë resurs natyror për 99 vjet.

Shuma që do të paguajë ky konzorciumin për shfrytëzimin e 3 mijë e 364 hektarëve tokë është në vlerë prej 9.9 milionë euro.

“Inex” pretendon se me këtë vendim, i janë shkelur shumë të drejta: neni 24 – Barazia para Ligjit; nenin 31 – e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm;, nenin 32 – e drejta për mjete juridike; nenin 46 – mbrojtja e pronës dhe nenin 54 – mbrojtja gjyqësore e të drejtave të kushtetutës se Republikës së Kosovës.

Të gjitha këto shkele, kompania pretendon se kanë ndodhur në dëm të saj vetëm për shkak se “të diskriminimit mbi bazën etnike”.

“Qëllimi kryesor i shpronësimit është diskriminimi i shtetasve dhe kompanisë serbe”, pretendon kompania.

Por, Gjykata Kushtetuese “vëren se parashtruesi nuk apeloi vendimin paraprak e as nuk e ka apeluar vendimin final të Qeverise, edhe pse të dyja këto vendime mund të ishin apeluar sipas ligjit në fuqi dhe udhëzimet për te drejtën e ankimit të dhënë në të dyja vendimet”.

Me konkretisht, Gjykata verën se Vendimi paraprak do të mund të apelohej nga parashtruesi në lidhje me “Legjitimitetin e shpronësimit të propozuar”, e cila është kryesisht ajo që parashtruesi pretendon për herë të parë para Gjykatës Kushtetuese.

“Vendimi paraprak parashihte 30 ditë kalendarike për ‘pronarët apo bartës të interesit’ të sfidojnë vendimin në tërësi apo ndonjë pjese të tij”, thotë Gjykata Kushtetuese.

Në këtë drejtim, Gjykata gjithashtu vëren se parashtruesi, qoftë si pronar apo si bartës i interesit, mund të kishte ngritur para Gjykatës Supreme pretendimet e tij për shkelje të të drejtave kushtetuese; por ai nuk ka përfituar nga ai mjet juridik i parashikuar me ligj.

Kushtetuesja thotë se edhe nëse parashtruesi nuk ishte i njohur si “pronar” i pasurive të caktuara të cilat pohon të jenë pronë e tij, ai ka mundur t’i këtë ngritur këto argumente si një “bartës i një interesi”, duke pasur parasysh se ligji ka parashikuar një mundësi të tillë.

Pavarësisht, ka mundur të ngrejë para Gjykatës Supreme pretendimet e tij për shkelje të se drejtës se tij për mjet efektiv ligjor dhe mbrojtje gjyqësore të të drejtave duke siguruar kështu respektimin e parimit të subsidiaritetit dhe duke i dhënë mundësinë Gjykatës Supreme që të korrigjojë shkeljet e pretenduara të Kushtetutës.

“Parashtruesi nuk e ka shfrytëzuar as këtë mjet juridik”, konstaton Gjykata Kushtetuese. “Parashtruesi është duke ngritur këto pretendime për herë të parë para Gjykatës Kushtetuese, pa shteruar asnjë nga mjetet juridike në dispozicion”.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese, njëzeri ka vendosur që ta deklarojë kërkesën të papranueshme dhe ta refuzojë kërkesën për masën e përkohshme.

Kompania “Inex”, që menaxhon Brezovicën, pjesën e vjetër të qendrës së skijimit dhe hotelet, javë më parë ka paralajmëruar padi në Arbitrazh. Kompania i ka dërguar njoftimin në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

“Inex”, pretendon se Qeveria e Kosovës ka nisur procedurat e koncesionit pa pyetur banorët lokal të zonës dhe “pronarin”.

Konzorciumi i shpallur fitues, do të investojë në tri faza në Brezovicë. Në fazën e parë do të investohen 164 milionë e 287 mijë euro. Investimi në fazën e dytë do të jetë në vlerë prej mbi 152 milionë eurosh. Ndërsa në fazën e tretë do të investohen 92 milionë e 681 mijë euro.

Projektin nuk e kishte kundërshtuar asnjëherë komuna e Shtërpcës, në territorin e së cilës shtrihet Brezovica.

Bratislav Nikoliq, kryetari i Shtërpcës, pati deklaruar për media se autoritetet komunale, komuniteti serb i zonës dhe Beogradi nuk janë pengesë e projektit të koncesionimit të Brezovicës nga Qeveria e Kosovës.

Mirëpo kundër ishte deklaruar Lista Serbe.

Ish-kryetari i saj, Aleksandër Jabllanoviq, ishte ankuar edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

I kishte shkruar këtij organi se Qeveria e Kosovës ishte treguar shpërfillëse ndaj komunitetit serb që jeton në Brezovicë.

Organi Shqyrtues i Prokurimit e kishte refuzuar ankesën e Jabllanoviq me arsyetimin se në këtë organ duhet të ankohen vetëm firmat që konkurrojnë në tenderë, por jo edhe palët tjera./Insajderi.com