
Janë konfirmuar tashmë të gjitha skuadrat e kualifikuara për raundin e 1/8-ave të Ligës së Europës, njofton Insajderi.
Milan, Manchester United, Roma, Olympiacos, Young Boys, Slavia Prague, Dinamo Zagreb dhe Dinamo Kyiv plotësuan koleksionin e 16 ekipeve që do të luftojnë më tej për trofeun e Ligës së Europës.
Skuadra e Stefano Piolit u mjaftua me barazim 1-1 në “San Siro” për të eliminuar nga gara Crvena Zvezdën. Falë rregullit të golit në fushën kundërshtare, “Djalli” vazhdon garën më tej.
Kualifikohet lehtësisht Roma, e cila mundi dhe në shtëpi Bragën (3:1). Një tjetër pretendent për trofeun Manchester United u mjaftua me barazim 0-0 ndaj Real Sociedad për të vazhduar më tej aventurën europiane.
Surprizat e mbrëmjes së sotme janë Young Boys dhe Slavia Prague. Zviceranët mposhtën 0-2 Bayer Leverkusen në Gjermani duke siguruar kualifikimin në 1/8-at.
Slavia Prague eliminoi në Angli Leicester-in, i cili nisej si favorit, por gjithçka rezultoi ndryshe, pasi u mposhtën me shifrat 0-2. /Insajderi.com