Në mbylljen e fundit të bizneseve për dy javë sipas komunitetit të bizenese Kosova ka pasur humbje rreth 30 milionë euro, njofton Insajderi.
Kjo humbje ka ndodhur si pasojë e mbylljes e cila ka ndikuar në uljen e qarkullimit dhe të konsumimit nga qytetarët.
Masat e Qeverisë së Kosovës për parandalimin e Coronavirusit, janë në fuqi nga 7 prilli, ku u mbyllë frekuentimi i gastronomisë, përveç shërbimeve “merr me vete”. Gjithashtu u ndaluan veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre.
Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha, tha se për të dal nga kjo gjendje duhet të kompensohen dëmet nga Qeveria.
“Për të dalë nga vështirësia duhet të kompensohet mbyllja. Vitin e kaluar kemi pasur rënie ekonomike 6% dhe kemi qëndruar keq për nga vendet e rajonit dhe ajo ka ndodhur për shkak se patëm krizë politike ku dy qeveri nuk janë funksionale dhe nuk mundën me pas ndikimin në ekonomi sa duhet. Sa do të ketë ndikim varet prej qeverisë sa do të investojë në ekonomi sepse ka rënie të hyrave në buxhet”, deklaoi Panxha, për EO.
Ndërsa, edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, tha se në këto përkufizime duhet të përfshihen shtyrja e borxheve, ndëshkimeve dhe kredive.
“Do të duhet të korrigjohet dhe të përcillet me disa vendime të tjera shtesë duke i mbuluar të gjitha shpenzimet e operatorëve ekonomik, të sektorëve që janë të mbyllur në mënyrë që ata sa më lehtë të kalojnë këto ditë të mbylljes duke përfshirë shtyrjen e borxheve, ndëshkimeve, interesit qoftë të tatimeve të ndryshme dhe kredive prandaj një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe ato duhet të faturohen e gjithë tek biznesi dhe biznesi e ka të vështirë që ato t’i kompensojë kohën e humbur”, deklaroi Shahini.
Panxha gjithashtu shtoi se kur është në pyetje ekonomia shkaktar kryesor është mbyllja.
“Shkaktar kryesor është mbyllja sepse ndikon në uljen e konsumit për shkak se njerëzit nuk dalin të shpenzojnë në lokale dhe kjo ka ndikim në ulje të aktivitetit ekonomik”.
Ai theksoi se edhe vaksinimi është shkaktari i dytë e që do të sjell problem edhe në viza.
“Nëse nuk fillon me lëvizë në këtë aspekt kemi problem edhe me vizitat nga jashtë sepse Kosovën do ta prezantojmë si një vend që nuk është vaksinuar ka ende virus është me rrezikshmëri të lartë dhe nuk sugjerojnë me vizituar”.
Kështu që sipas Shahinit, dy çështje me rëndësi që Qeveria duhet të ketë prioritet është sigurimi i sa më shumë vaksinave dhe rimëkëmbja ekonomike.
Duke shtuar se “Kosovës do t’i duhet katër vjet rikuperimi dhe kthimi në gjendjen e vitit 2019”.
“Është problemi i vaksinimit dhe rimëkëmbjes. Vaksinimi në Kosovë nuk do të përfundojë së paku për tri deri në 4 vjetët e ardhshme. Nëse nuk bëhet strategji për rimëkëmbje zhvillimore dhe strategji për ekonominë e vendit, për nxitje të investimeve dhe marrje të fondeve nga institucionet dhe klubet e ndryshme financiare botërore Kosovës do t’i duhet 4 vjet rikuperimi dhe kthimi i një gjendje të vitit 2019″.
Shahini citoi se Qeveria e vendit nuk ka njerëz të mjaftueshëm të ekspertëve ekonomik dhe shëndetësor për të bërë strategji të përbashkët në mënyrë që të jetë sa më e shkurtër koha e vaksinimit dhe dalja nga kriza.
“Gastronomia është një nga sektorët në ekonomi që merr pjesë. Këto ditë ata nuk kanë ku t’i shesin prodhimet vendore qoftë edhe bulmetet dhe ka rënë çmimi i tyre dhe kjo do të varfërojë bizneset familjare”, tha ai. /Insajderi.com