Korea e Veriut dhe e Jugut rikthejnë komunikimin

Korea e Veriut dhe e Jugut rikthejnë komunikimin

Janë rikthyer komunikimet kufitare midis Koresë së Jugut dhe asaj të Veriut, të cilat ishin bllokuar për më shumë se një vit, transmeton Insajderi.

Palët janë pajtuar edhe për përmirësimin e marrëdhënieve.

Njoftimi i përbashkët ka qenë zhvillimi i parë pozitiv, prej një serie të samiteve të dështuara në mes të ish-presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit koreano-verior, Kim Jong Un.

Media shtetërore verikoreane “KCNA”, ka thënë se të gjitha kanalet e brendshme koreane, do të rikthehen më 27 korrik, në përputhje me marrëveshjen e arritur në mes të Kim Jong Unit dhe presidentit jugkorean, Moon Jae-in.

Siç bën të ditur Ministria për Bashkim në Seul, ata kanë zhvilluar bisedën e parë telefonike të martën e 27 korrikut.

KCNA e ka konsideruar rinisjen e kontakteve si “hap të madh drejt përmirësimit të besimit dhe promovimit të pajtimit”, raporton REL.

Prej kur Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka marrë pushtetin, Phenjani dhe Uashingtoni nuk kanë komunikuar në nivel diplomatik.

Kim ka thënë në muajin qershor se Phenjani duhet të përgatitet si për dialog ashtu edhe për përballje me Uashingtonin, derisa Shtëpia e Bardhë është zotuar për qasje praktike.

SHBA-të kërkojnë çarmatosjen e Koresë Veriore, në mënyrë që këtij vendi t’i hiqen sanksionet e ashpra. /Insajderi.com