Koreja Veriore shkrepë dy raketa me rreze të shkurtër

Ushtria e Koresë Jugore thotë se Koreja Veriore duket se ka lëshuar dy raketa me rreze të shkurtër. Kjo është hera e dytë brenda një jave që Pheniani ka hedhur raketa. Provat me raketa rrezikojnë edhe më tej bisedimet bërthamore mes liderit koreanoverior Kim Jong Un dhe presidentit të SHBA Trump.

Koreja Veriore shkrepë dy raketa  me rreze të shkurtër

Shtabi i ushtrisë së Koresë Jugore informoi se raketat u lëshuan nga provinca e Penianit Verior, në veriperëndim të vendit dhe fluturuan drejt lindjes.

Presidenti i Koresë Jugore Moon Jae-in i bëri thirrje Koresë Veriore të ndalë hedhjen e raketave, të cilat ai thotë se vështirësojnë përpjekjet diplomatike për denuklearizimin e Gadishullit Korean.

Nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Donald Trump tha se askush nuk është i kënaqur me lëshimin e raketave nga Koreja e Veriut.

“Askush nuk u gëzua, por po e shqyrtojmë dhe do të shohim. Marrëdhënia vazhdon, por do të shohim ç’do të ndodhë. E di që duan të negociojnë. Flasin për negocim, por nuk mendoj se janë gati për të negociuar”, ka thënë presidenti Trump.

Testimet rrezikojnë edhe më tej bisedimet bërthamore mes liderit koreanoverior Kim Jong Un dhe presidentit Trump. Koreja Veriore kërkon që Shtetet e Bashkuara të lehtësojnë sanksionet, në shkëmbim të ndërmarrjes së hapave për denuklearizimin. Presidenti amerikan thotë se ai nuk do t’i lehtësojë sanksionet, derisa lideri koreanoverior të zotohet se do të braktisë të gjithë arsenalin bërthamor të vendit.