Përvec që ka tejkaluar të gjitha afatet e mundshme të jetëgjatësisë, edhe eficienca e prodhimit në Kosovën A është në nivel jashtzakonisht të ulët prej vetëm 24%. Përvec Kosovës A, edhe eficienca e prodhimit të rrymës në Kosovën B është shumë larg standardeve ndërkombëtare, me vetëm 29%.
Sipas kësaj, termocentralet ekzistuese në Kosovë përdorin më shumë burime (ujë, qymyr, etj) për të prodhuar më pak sasi të energjisë elektrike, dhe kështu ndikojnë negativisht edhe në ekonominë e vendit dhe në mjedis.
Normalisht termocentralet e reja moderne ofrojnë eficiencë deri në 37%. Termocentrali i ri në Sostanj të Sllovenisë i inauguruar në vitin 2015, ka tejkaluar standardet ndërkombëtare të eficiencës, duke ofruar eficience prej 42%. I njejti nivel i lartë i eficiencës do të aplikohet edhe në termocentralin e ri në Kosovë.
Standardet që duhet t’i përmbushin termocentralet caktohen nga rregulloret e Komisionit Evropian. Këto standarde, sipas njoftimit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, do t’i përmbush termocentrali ‘Kosova e Re’, i cili pritet të ndërtohet bazuar në teknikat më të mira ekzistuese (BAT), apo thënë në gjuhën e popullit, ‘fjala e fundit e teknologjisë’, por jo edhe termocentralet e vjetra ekzistuese.
Që të dyja termocentralet ekzistuese, Kosova A dhe Kosova B, kanë arritur në fundin e jetëgjatësisë së lejuar. Sipas strategjisë energjetike të vendit, Kosova A do të zëvendësohet me Kosovën e Re deri sa Kosova B do të rinovohet për të mundësuar zgjatjen e jetëgjatësisë për një kohë të shkurtë tranzicioni përmes mekanizmave të nevojshëm për zvogëlimin e emetimeve dhe grimcave SO2 NOx.
SI pasojë e investimeve të bëra nga KEK në Kosova A në vitin 2013, kësaj njësie të prodhimit të rrymës i janë shtuar disa masa për të zvogëluar emetimin e grimcave. Përkundër, eficienca në këtë njësi është në nivel të ulët prej 24%.
Kosova e Re do të zvogëlojë emetimet e pluhurit për rreth 93%, ato të dioksidit të karbonit për rreth 38%, të dioksidit të sulfurit për rreth 85% dhe të NOx për rreth 93%.
Përvec tjerash, kjo teknologji e emëruar si ‘ultra-super kritike’, do të shënojë përmirësime edhe në efiçiencë dhe në konsumin e ujit, që përdoret për ftofje të impianteve, konfirmon Ministria e Zhvillimit Ekonomik.
Kosova është e treta në Evropë dhe e pesta në botë për nga rezervat e qymyrit. Banka Botërore i ka vlerësuar dy termocentralet ekzistuese të Kosovës (Kosova A dhe Kosova B) si ‘burimi më i madh i ndotjes në Evropë’.
Eficienca në prodhimin e energjisë elektrike sjellë një numër benefitesh duke përfshirë edhe zvogëlimin e emetimeve, zvogëlimin e nevojës për importe si dhe zvogëlimin e shpenzimeve në nivel amvisërie dhe të ekonomisë së vendit.