“Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë ngushtë në fushën energjetike”

“Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë ngushtë në fushën energjetike”

Bashkëpunimi në fushën energjetike në mes të Kosovës dhe Shqipërisë është shumë i nevojshëm, sidomos në aspektin e ndërtimit të një hidrocentrali në Shqipëri.

Kështu ka bërë të ditur ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, sipas të cilit, të dyja vendet më pas do të ishin eksportuesit potencialë të energjisë në rajon.

“Sot Kosova importon rreth 50 milionë euro në vit energji elektrike, kryesisht nga Serbia, prandaj, pavarësia e përhershme energjetike nga Serbia dhe krijimi i kapaciteteve tona të brendshme për të krijuar siguri kombëtare të furnizimit me energji duhet të jetë prioritet për secilën qeveri, përfshirë edhe qeverinë në ardhje”, është shprehur Lluka për Epoka e Re.

Ai tutje ka shtuar se energjia elektrike është alfa dhe omega e funksionimit të mirëfilltë të ekonomisë dhe sjelljes së investitorëve të huaj.

“Energjia është oksigjeni, uji e ushqimi i ekonomisë së një vendi. Pa stabilitet energjetik nuk ka zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, sidomos për vendet e pasura me minerale të ndryshme siç është Kosova dhe vendet që kanë potencial të shfrytëzohet fuqia e lire punëtore për prodhim. Prandaj, për secilën qeveri, energjia duhet të jetë fokusi primar, në linja të barabarta me arsimin dhe shëndetësinë. Mosstabiliteti energjetik e pamundëson sjelljen e investitorëve afatgjatë dhe serioz në Kosovë”.

Ai ka folur edhe për gazsjellësin dhe mundësitë investive në të.

“Investimi në tubacionin e gazit nga Shqipëria në Kosovë dhe nga Shkupi në Prishtinë është gjithashtu i domosdoshëm. Tubacioni nga Shkupi mund të instalohet në periudhë të shpejtë kohore pasi ka ekzistuar një tubacion tillë në vitet e ’70-ta, kurse ajo me Shqipërinë është më shumë investim strategjik dhe afatgjatë për vendin. Konsumuesit e mëdhenj të energjisë në prodhim, në të shumtën e rasteve përdorin gazin për nevoja të tyre.

Konsumues të tillë janë ata në fushën e minierave, kryesisht në përpunim të mineraleve ku vlera e shtuar është potenciali më i madh në Kosovë, pastaj prodhuesit e produkteve të xhamit, tjegullave, blloqeve dhe materialevetë tilla e deri tek prodhuesit e metalit dhe drurit”, u shpreh ai./Insajderi.com