Kosova merr përgjigje për gjysmën e formacionit të hënën

Përfaqësuesja e Kosovës nesër në mbrëmje do të bëjë debutimin historik në kualifikueset e Kupës së Botës “Rusi 2018” me takimin që do të zhvillohet në transfertë kundër Finlandës.

Kosova merr përgjigje për gjysmën e formacionit të hënën

Por trajneri Bunjaki është ende në “ajër” për ekipin që do të hedhë në fushë, pasi FIFA ka vendosur që përgjigja për futbollistët që presin lejen për t’u aktivizuar do të jepet nesër në orën 15:00, pra më pak se 6 orë nga fillimi i takimit.

Gazetari anglez Nik Ames, i cili po ndjek nga afër përgatitjet e Kosovës në Finlandë në kuadër të ndeshjes së nesërme, me anë të një postimi në Twitter, bëri me dije se janë 6 futbollistë presin ende përgjigjen e FIFA-s.

 

Për “Panorama Sport”, ai konfirmoi se bëhet fjalë për mesfushorin që braktisi Norvegjinë për vendin e tij të origjinës, Valon Berishën, dhe 5 futbollistët që zgjodhën të largohen nga Shqipëria për të përfaqësuar Kosovën, Samir Ujkani, Alban Meha, Milot Rashica, Amir Rrahmani dhe Herolind Shala.

Të 6 këta futbollistë janë praktikisht lojtarë të formacionit të projektuar titullar nga trajneri Bunjaki, por deri nesër në drekë, formacioni i Kosovës do të mbetet gjysmak, dhe mund të ndryshojë totalisht në rast se përgjigja e FIFA-s për aktivizimin e futbollistëve është negative. /Insajderi.com