Kosova ndër ekipet më të dobëta së bashku me San Marinon dhe Gjibraltarin

Kosova ndër ekipet më të dobëta së bashku me San Marinon dhe Gjibraltarin

Kosova në secilën ndeshje po hyn me shpresën për ta shënuar fitoren e parë, por në fakt secilën herë dështimet po janë më të mëdha. Barazimin ndaj Finlandës vazhdojnë ta mbajnë në mend “Dardanët”, të cilët pastaj u mposhtën keq pesë herë rresht.

Paraqitjet e mira të kohëpaskohshme dhe statistikat mbresëlënëse të Albert Bunjakit nuk po zënë vend në tabelën që pasqyron forcën reale të çdo ekipi. Dhe, në realitet Kosova nuk i ka punët aspak mirë.

Statistika më të dobëta sesa Kosova ka vetëm San Marino, Lihtenshtajni, Gjibraltari dhe Malta

Kosova ishte bërë lajm botëror kur ishte pranuar në UEFA dhe në FIFA e po ashtu jehonë kishte bërë edhe debutimi i saj në kampanjën kualifikuese të kampionatit botëror “Rusia 2018”, shkruan sot gazeta Zëri.

Madje, Përfaqësuesja kosovare qysh me paraqitjen e parë kishte tërhequr vëmendje të madhe ndërkombëtare, pasi kishte prodhuar befasi të këndshme.

Një shtet i vogël, i dal nga izolimi 25-vjeçar, i posapranuar në UEFA dhe në FIFA qysh në ndeshjen e parë të tij në një kampanjë kualifikuese arriti të fitojë pikë.

Ekipi i Albert Bunjakit e kishte “tronditur” si mysafir Finlandën me përvojë të madhe, ndaj së cilës e kishte regjistruar një barazim të vlefshëm prej 1:1.

Njëherësh, qyteti finlandez, Turku, mbetet përvoja më e mirë e kosovarëve në këtë kampanjë eliminatore, gjatë së cilës pastaj përjetoi goditje të njëpasnjëshme.

Pas barazimit me finlandezët, Kosova i zhvilloi edhe pesë ndeshje të tjera. Në secilën hyri për të fituar, por nga secili kundërshtar pësoi “tmerrin”.

Kosova u mposht si vendase nga Kroacia 0:6, humbi si mysafire e Ukrainës me rezultat 3:0. Ekipi i Bunjakit vazhdoi të mos shënojë gol as si mysafire e Turqisë, prej së cilës kishte humbur 2:0.

Goli erdhi në Shkodër ndaj Islandës, por bashkë me golin e shumëpritur erdhi edhe humbja prej 1:2. Kurse, humbjen e pestë rresht Kosova e pësoi të dielën sërish nga Turqia, por si vendase, edhe atë me rezultat të thellë, 4:1.

Pavarësisht humbjeve të vazhdueshme e të thella, Kosova kohë pas kohe ka luajtur shumë mirë, por goxha shpesh edhe fati nuk ka qenë pothuajse kurrë në anën e saj.

Kjo duket të ketë ndikuar që edhe Bunjaki dhe ekipi i tij t’u shpëtonin kritikave të ashpra në Prishtinë.

Madje, kur Bunjaki përmend statistika të ndryshme, ato dinë ta qesin Kosovën edhe mbi Kroacinë apo Turqinë.

Por, për fatin e keq të Bunjakit dhe gjithë “Dardanëve” ato nuk vlejnë në një tabelë klasifikimi, e cila e pasqyron forcën e vërtetë të një ekipi.

Dhe, tabela flet keq për Kosovën. Përfaqësuesja jonë është e gjashta në Grupin I me vetëm një pikë. Nëse Kosova krahasohet me ekipet tjera që aktualisht janë të fundit në nëntë grupe të tjera, atëherë veç San Marino, Lihtenshtajni, Gjibraltari dhe Malta i kanë punët më keq sesa Kosova.

Ato ende nuk e kanë fituar nga asnjë pikë prej nga gjashtë ndeshje sa i kanë zhvilluar. Në nivel me Kosovën duket Luksemburgu, i cili po ashtu deri më tani e ka fituar veç një pikë e që është i fundit në Grupin A.

Më mirë se Kosova i kanë punët Moldavia e Kazakistani që kanë nga dy pikë, kurse Lituania është e fundit në Grupin B me tri.

Kosova i ka punët keq edhe me goldallim. Ekipi i Bunjakit në gjashtë ndeshje i ka shënuar vetëm 3 gola, kurse i ka pësuar 18 sosh.

San Marino i ka më keq punët edhe në këtë aspekt, pasi e ka shënuar 1 gol dhe i ka pësuar gjithsej 30.

Edhe Lihtenshtajni i ka më keq punët sesa “Dardanët”, pasi deri më tash e ka realizuar 1 gol dhe i ka pranuar 24. 24 i ka pësuar edhe Gjibraltari, i cili i ka shënuar tre gola.