Kosova pëson disfatë nga Mali i Zi në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Evropian në hendboll

Kosova pëson disfatë nga Mali i Zi në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Evropian në hendboll

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll ka pësuar humbje në ndeshjen e pestë të saj në fazën e dytë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, njofton Insajderi.

‘Dardanët’ u mposhtën për herë të dytë nga Mali i Zi, duke pësuar humbje kësaj radhe në Prishtinë me rezultat 22:27.

Në pjesën e parë dallimi në rezultat ishte më i ngushtë, pasi mysafirët kishin epërsinë tre golëshe, 10-13.

Golashënuesi më i mirë te Kosova ishte Drenit Tahirukaj që shënoi shtatë gola, derisa Valon Dedaj dhe Fatlum Ahmeti shënuan nga katër gola.

Me këtë fitore Mali i Zi tani ngjitet në pozitën e dytë të grupit tetë me katër pikë, ndërsa Kosova së bashku me Rumaninë ndajnë pozitat tre dhe katër me nga tre pikë.

Pavarësisht humbjes, ëndrra për kualifikim në Kampionatin Evropian 2022 nuk është shuar.

Kosova tani shpreson që nga pozita e tretë, në të cilën ndodhet, të kualifikohet në Evropian, ndërsa një gjë e tillë varet edhe nga takimet e ardhshme të Kosovës dhe të kundërshtarëve të saj.

Ndeshjen e radhës Kosova e luan si mysafire më 2 maj kundër Suedisë. /Insajderi.com