Arijanet Muriqi beson se Kosova ka skuadër shumë të mirë dhe të talentuar. Nëse vazhdojnë të luajnë së bashku për një kohë të gjatë, nuk e ka përjashtuar mundësinë që Kosova t’i argëtojë më shumë tifozët, duke luajtur futboll të bukur, ndoshta ngjashëm si Man City.
20-vjeçari debutoi me fanellën e Kosovës të martën, në fitoren 4-0 ndaj Azerbajxhanit në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku “Dardanët” siguruan “play-offin” në Ligën e Kombeve.
Në mars të 2020, Kosova do të luajë me Maqedoninë në gjysmëfinale për të siguruar një biletë në finale, aty ku mund të ketë punë me Gjeorgjinë ose Bjellorusinë dhe mund të jetë vetëm 90 minuta larg Euro 2020 – gjithmonë nëse nuk arrin të kualifikohet përmes rrugës së rregullt.
“Kosova është një ekip shumë i mirë. Ka lojtarë shumë të fort individual”, u shpreh 20-vjeçari për KTV-në.
“A mund të luajë Kosova si Man City? “Është e vështirë, por nëse luajmë shumë ndeshje së bashku, edhe mund të luajmë”, shtoi Muriqi. /Insporti.com/