
Pasi e mposhtën Azerbajxhanin 2:0, sot në ballafaqimin e tretë, në kuadër të turneut “2017 Mercedes Benz Agean Cup U-16” Kosova U17 e mposhti Shqipërinë, me rezultat 2:1, bën të ditur Federata e Futbollit të Kosovës – FFK.
Të dy golat për Kosovën i shënoi Veton Tusha. Me këtë fitore Kosova e ka siguruar pozitën e dytë në Grupin A dhe kësisoj të shtunën do të luajë kundër Rusisë për vendin e tretë, shkruan Koha.net.
Përzgjedhësi i Kosovës, Besnik Kollari është ndarë i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve të tij, dhe me rastet e krijuara.
“Ishte një lojë e mirë, ku krijuam shumë raste shënimi sidomos në pjesën e parë, por realizuam vetëm dy herë. Madje kur pritej që takimi të përmbyllet me rezultat 2:0 për Kombëtaren tonë, në sekondat e fundit Shqipëria shënoi të ashtuquajturin gol të nderit. Tash, do të presim se si do të rrjedhin gjërat”, ka thënë Kollari.