“Kosovarët shpenzuan 10 milionë euro gjatë fundjavës në Shqipëri”

“Kosovarët shpenzuan 10 milionë euro gjatë fundjavës në Shqipëri”

Rreth 30 mijë kosovarë kanë vizituar Shqipërinë gjatë kësaj fundjave që lamë pas duke shpenzuar rreth 10 milionë euro në shtetin fqinj, transmeton Isajderi.

Kështu ka bërë të ditur Aleanca Kosovare e Bizneseve e cila ka bërë një hulumtim, sipas të cilit kosovarët kanë shpenzuar rreth 100 euro në ditë gjatë qëndrimit në Shqipëri.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka deklaruar se hulumtimi është realizuar nga data 9 deri me 12 prill.

“Për këto 4 ditë Kosovën e kanë lëshuar 30 mijë qytetarë biznesmenë, politikanë, sportistë, zyrtarë shtetërorë që kaluan në Durrës, Tiranë duke shpenzuar rreth 100 euro në ditë duke përfshirë akomodimin, pijet, transportin, taksën rrugore”, ka thënë Shahini.

“AKB ka vlerësuar se kosovarët kanë shpenzuar 10 milionë euro për vikend në Shqipëri pasi qeveria mbylli qendrat tregtare, hotelet dhe kafeteritë. Vetëm 5 për qind e vizitorëve nga Shqipëria kthehen dhe vizitojnë Kosovën kundrejt atyre që shkojnë nga Kosova. Në këtë vikend nuk ka pasur vizitorë në Kosovë për shkak të masave”, ka shtuar ai.

Shahini i ka rekomanduar Qeverisë që pas datës 18 prill lirohen masat.

“Prandaj AKB rekomandon qeverinë që sa më shpejt pas datës 18 të kthejë jetën në normalitet duke zbatuar masa për kontroll, por jo masa rigoroze. AKB është e shqetësuar për përkeqësimin ekonomik në vend dhe është duke u thelluar”, ka përfunduar ai./Insajderi.com