Kosovari që sfidon sot Serbinë në EuroBasket, flet serbisht me gazetarët

Kosovari që sfidon sot Serbinë në EuroBasket, flet serbisht me gazetarët

I lindur dhe i rritur në Prishtinë, Kenan Spahiu, përfaqëson ngjyrat e reprezentacionit të Turqisë në basketboll. Prishtinasi, sot, për herë të parë do të ndeshet kundër Serbisë, në ndeshjen e vlefshme për fazën e grupeve të “EuroBasket 2017”.

Ndeshja mes Turqisë dhe Serbisë do të zhvillohet sonte me fillim prej orës 20:00, në Stamboll, raporton Insajderi.

Një ditë para ndeshjes, të dielën, kosovari Spahiu dha një intervistë për mediat serbe rreth ndeshjes kundër Serbisë. Në këtë prononcim, ai foli në gjuhën serbe. Tha se Serbia është një skuadër shumë e mirë.

“E dijmë që do të jetë e vështirë, pasi Serbia është skuadër shumë e mirë edhe pa Milosh Teodosiçin dhe Nemanja Bjelican. Do të jetë një ndeshje e vështirë por ne do të luajmë në shtëpi”, ka thënë Spahiu, teksa fliste rrjedhshëm në gjuhën serbe.

Spahiu tregoi “armën” më të fortë të Serbisë, dhe pikat më të forta të përfaqësueses turke.

“Marjanoviç është rreziku kryesor për ne, përderisa në skuadrën tonë kemi shutera të shkëlqyeshëm si Osman, Mahmutoglu dhe Korkmaz. Ne duhet që t’i gjejmë ata të lirë, dhe kaq mjafton”, ka thënë Spahiu.

Turqia ka një bilanc prej dy humbjesh dhe një fitoreje në dy ndeshjet e para të EuroBasketit, ndërsa Serbia numëron dy fitore dhe vetëm një humbje. /Insajderi.com