Mesfushori i ri i kombëtares shqiptare, Kamer Qaka, ka treguar emocionet e tij të para pas marrjes së ftesës së grumbullimit për median norvegjeze “Nettavisen”.
“Është e pabesueshme, kam qarë për 20 minuta. U shokova. Idhujt e mi të fëmijërisë luajnë për Shqipërinë dhe nuk di çfarë të them. Ende nuk më besohet. Kam qënë në formë të mirë këtë vit dhe gjërat duken mjaft pozitive”, deklaroi ai për mediumin norvegjez “Nettavisen”.
“Dëgjova 3-4 javë më parë nga njerëz të rëndësishëm në Shqipëri se unë duhet të grumbullohesha në kombëtare dhe se isha mjaftueshëm i mirë për të merituar diçka të tillë. Më pas papritur mora një mesazh nga klubi ku më thanë se FSHF-ja i kishte kontaktuar për të më grumbulluar. Më telefonuan nga Shqipëria për të më pyetur nëse isha i gatshëm të bashkohesha me kombëtaren”, tha Qaka.
“Nuk kam folur direkt me Panuçin, por kam folur me disa njerëz të tjerë. Më pyetën: ‘A do të vish në kombëtare?’ Dhe unë u përgjigja: ‘Nuk është nevoja të më pyesni.’ Isha shumë i lumtur”, shtoi 22-vjeçari.
Mesfushori foli edhe për zgjedhjen e tij përfundimtare sa i përket ekipit kombëtar, duke qenë se më parë ka luajtur për moshat e Norvegjisë.
“Unë dua të luaj për Shqipërinë, kjo është ëndrra ime. Stafi i Shqipërisë më ka parë të luaj, por unë dua të aktivizohem edhe për kombëtaren që të më shohin më shumë”, përfundoi Qaka