Kosovari që u prit si hero në Zagreb, por u zhgënjye nga njerëzit e vendit të tij

Se Kujtim Shala nuk do të harrohet kurrë në Zagreb, u vërtetua nga mikpritja që tifozët e Kroacisë i bën të premtën, një ditë para ndeshjes mes Kroacisë dhe Kosovës. Tifozët i kishin rezervuar pritje madhështore Shalës, në një sallë futsalli të Dinamos së Zagrebit.

Kosovari që u prit si hero në Zagreb, por u zhgënjye nga njerëzit e vendit të tij

Kujtim Shala është njëri nga të paktët sportistë që konsiderohet “legjende” në dy vende të botës: në Kroaci dhe në Kosovë. Ai është kosovari që luajti në ndeshjen e parë historike të Kroacisë në futboll dhe një idhull i tifozerisë së Dinamos së Zagrebit. Një legjendë e skuadrës së famshme kroate.

Se Shala nuk do të harrohet kurrë në Zagreb, u vërtetua nga mikpritja që tifozët e Kroacisë i bën të premtën, një ditë para ndeshjes mes Kroacisë dhe Kosovës. Tifozët i kishin rezervuar pritje madhështore Shalës, në një sallë futsalli të Dinamos së Zagrebit.

“Kujtim Shala. Kampion!”, thërrisnin në kor tifozët kroat, emrin e 52-vjeçarit nga Prizreni. Kjo ishte një shenjë se Shala kishte lënë gjurmë të thella në Kroaci. Kishte shkruar me shkronja të arta emrin e tij në historinë e futbollit kombëtar të këtij shteti.

E gjitha kishte filluar kur në vitin 1989, prizrenasi që luante si mesfushor u transferua nga Klubi i Futbollit Prishtina, tek skuadra nga kryeqyteti kroat, Dinamo. Por, për të shkruar historinë, ai kishte luajtur në ndeshjen e parë të Kroacisë si shtet i pavarur, ndaj SHBA-vë, më 1990.

“Si një futbollist i skuadrës kombëtare kroat, jam shumë krenar për atë ndeshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kështu që unë kam qenë shumë i lumtur që kam luajtur në atë ndeshje, kur më ftoi në fund Drazha Jerkoviç”, rrëfeu Shala për mediumin kroat Vecernji.

Ndeshja ndaj SHBA-ve, ishte e para dhe e fundit për Shalën me fanellën e Kroacisë. Kroacia e viteve të 90-ta kishte një “skuadër të ëndrrave”. Ajo prihej nga legjenda e futbollit kroat dhe ish-futbollisti i Real Madridit, Davor Shuker, i cili tashmë është kryetar i Federatës së Futbollit të Kroacisë.

Ishte pikërisht Shuker që i dërgoi ftesë futbollistit nga Prizreni që të ishte i pranishëm në ndeshjen Kroaci-Kosovë. Për këtë, Shala thotë se i është shumë falënderues ish-bashkëlojtarit të tij.

“Me Shukerin dhe me Bobain kisha kontaktuar disa herë, edhe pse me futbollistët e tjerë të gjeneratës time i kisha humbur kontaktet. Me Shukerin kisha kontaktuar dy apo tri herë, derisa më erdhi ftesa për ta parë ndeshjen Kroaci-Kosovë; për këtë isha shumë i lumtur”, deklaroi Shala.

Por, ish-futbollisti që ka luajtur në Liri të Prizrenit, Prishtinë, Zagreb dhe në shtatë skuadra gjermane, nuk flet fjalë të mira për njerëzit që udhëheqin futbollin e Kosovës. Shala shprehet i zhgënjyer se askush nga Kosova nuk e ftoi në ndeshjen e parë mes Kosovës dhe Kroacisë që u zhvillua në Shkodër.

“Kam qenë i inatosur dhe hidhëruar që në ndeshjen e parë në Shkodër nuk më ftoj askush, as nga Federata e Futbollit të Kosovës e as nga ajo e Kroacisë, për këtë arsye tash e kam zemrën të mbushur”, shprehet Shala.

Madje, mllefin ndaj FFK-së, Shala nuk e ndalon me kaq. Ai shprehet i zhgënjyer që djali i tij, Andisi, i cili luan futboll në kategorinë e katërt të Gjermanisë, nuk u ftua asnjëherë në përfaqësuesen e Kosovës.

Shala mendon se mungesa e ftesës për djalin e tij, do të thotë hakmarrje ndaj vet ish-futbollistit të Dinamos së Zagrebit.

“Andisi është një futbollist i mirë, një nga sulmuesit më të mirë të ligave rajonale të Gjermanisë. Cottbusi [klub i kategorisë së tretë të Gjermanisë v.j] e dëshiron, por klubi i Andisit ka kërkuar 400,000 euro dëmshpërblim; është e pamundur të paguhet kjo shumë në një ligë të tillë. Po përpiqem të bëj diçka, ta transferoj në Azi, Kinë, por është e vështirë”, thotë Kujtim Shala, teksa flet për të birin.

“Kishte biseda [me federatën kosovare v.j], por kurrë nuk ndodhi asgjë, ata më premtuan. Nëse ai do kishte luajtur për Kosovën, tani do të luante në Bundesligë, ai ishte lojtar i Dundee Unitedit atëkohë, por për Kosovën ai nuk u thirr kurrë. Ata nuk e ftuan atë vetëm për shkakun tim, mendoj se është një hakmarrje”.

Kujtim Shala posedon licencën e trajnerit nga UEFA, por legjenda e futbollit të Kosovës e Kroacisë nuk mendon t’i rikthehet zejes së trajnerit. Për Shalën, puna si trajner kishte marrë fund që prej se drejtoi Prishtinën në vitin 2007.

Aty, thotë Shala, mësoi një gjë: që në Kosovë nuk vlerësohen njerëzit që e njohin futbollin, po ata që s’e njohin, raporton Insajderi.

“Unë nuk e di nëse do të pranojë të bëhesha trajner, sepse mua nuk më pëlqen më puna e trajnimit edhe pse kam licencë. Pas Prishtinës më 2007 pashë që njerëzit që e njohin futbollin nuk janë të vlerësuar, por vlerësohen ata që në të vërtetë nuk e njohin futbollin. Dhe futbolli në Kosovë udhëhiqet prej njerëzve që kanë ‘bërë para’”, deklaroi Shala.

Kujtim Shala bëri afër 20 vite karrierë në futboll. Më së shumti vite kaloi në futbollin jugosllav, plot tetë vite, derisa shtatë vite të tjera luajti në Gjermani. Fortuna Dusseldorf, Manheim, Leipzig, Stuttgarter Kickers dhe Saschen Leipzig ishin skuadrat me të cilat luajti në Gjermani.

Tani, ish-futbollisti i Lirisë së Prizrenit jeton në Manheim të Gjermanisë. Atje ai punon si menaxher futbollistësh. /Insajderi.com