Krijohet superkupa mbarëkombëtare e volejbollit

 Krijohet superkupa mbarëkombëtare e volejbollit

Pas krijimit të “Liga Unike e Shqipërisë dhe Kosovës në basketboll” një lajmë tjetër i mrekullueshëm vjen për sportin shqiptar, njofton Insajderi.

Drejtuesit e Federatës së Volejbollit të Kosovës dhe Federatës Shqiptare të Volejbollit, kanë bërë të ditur se kanë nënshkruar marrëveshje për organizimin e Superkupës Mbarëshqiptare të Volejbollit.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar, do të organizohet një kompeticion ku do të marrin pjesë fituesit e kampionit dhe të kupës në Kosovë dhe Shqipëri.

Në njoftimin e Federatës Shqiptare të Volejbollit, thuhet: “pas një takimi informal, të mbajtur të martën në mbrëmje në Durrës, drejtuesit e Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe ata të Federatës së Volejbollit të Kosovës, kanë finalizuar hollësitë e marrëveshjes së arritur në shkurt të këtij viti, për organizimin e Superkupës Mbarëkombëtare të Volejbollit”.

Tutje thuhet “kjo Superkupë do të organizohet mes kampiones së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës si për femra, ashtu edhe meshkuj, por edhe midis fitueses së Kupës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, për të dyja gjinitë. Kjo Superkupë Mbarëkombëtare do të zhvillohet në hapësirat midis fazave të kampionateve përkatëse, ndërsa datat e sakta do të zyrtarizohen në javët në vijim…” /Insajderi.com