Kryebashkiakja e Romës: Mos sillni më refugjatë në qytet

Kryebashkiakja e Romës: Mos sillni më refugjatë në qytet

Kryebashkiakja e Romës, nga “Lëvizja 5 yjet”, i ka kërkuar qeverisë italiane të mos dërgojë më emigrantë në qytet. Virginia Raggi tha se ardhje të tjera mund të përshkallëzojnë tensionet sociale.

Apeli i saj vjen pas zgjedhjeve lokale të së dielës, në të cilat “Lëvizja 5 yjet” nuk arriti rezultate të kënaqshme. Më shumë se 500 mijë persona kanë mbërritur me anije në Itali që nga viti 2014. Afro 200 mijë janë sistemuar nëpër qendra në të gjithë vendin.

“Ne nuk mund të lejojmë krijimin e më shumë tensioneve sociale”, tha Raggi në faqen e saj në “Facebook”.

“Ndaj unë them se është e pamundur, e madje edhe e rrezikshme, për të menduar krijimin e strukturave të reja pritëse”, shtoi ajo.

Ministria e Brendshme u ka kërkuar të gjitha bashkive italiane të gjejnë hapësira për rreth 250 mijë emigrantë të rinj këtë vit, shifër më e lartë kjo nga 180 mijë emigrantët e sistemuar një vit më parë.

Disa analistë thonë se, Raggi po përpiqet të fitojë mbështetje duke marrë në shënjestër emigrantët, pasi partia e saj dështoi në balotazh në 24 nga 25 qytetet kryesore, që zgjodhën kryebashkiakë të rinj. Rreth gjysma e italianëve nuk duan që në vend të pranohen emigrantë të tjerë, sipas një sondazhi.

Italia po akomodon numra në rritje emigrantësh, për shkak se vendet në veri kanë vendosur kufizime në kufinj dhe disa shtete të BE-së kanë refuzuar të marrin pjesë në planin për rishpërndarjen e 160 mijë personave nga Italia dhe Greqia.

Mbi 200 mijë emigrantë janë rishpërndarë sipas planit dhe BE-ja ka nisur aksione ligjore kundër Polonisë, Hungarisë dhe Republikës Çeke për refuzimin e pranimit të refugjatëve.

Rreth 40 për qind e emigrantëve në Itali kanë kërkesa të vlefshme për azil. Të tjerët konsiderohen si emigrantë të paligjshëm ekonomikë dhe përballen me deportimin, por kjo mund të jetë e vështirë të zbatohet në praktikë, sepse vendet e tyre të origjinës, në ndonjë rast refuzojnë t’i ripranojnë.