Kryeministri irakian paralajmëron për sulme terroriste

Kryeministri irakian paralajmëron për sulme terroriste

Kryeministri i Irakut, Hajdar Al Abadi, tha se organizata terroriste DEASH është mposhtur në terren megjithatë paralajmëroi për sulme potenciale terroriste të organizatës, ideologjia e së cilës është ende gjallë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në fjalimin e tij në “Forumin Energjetik Irakian” të organizuar nga Instituti Energjetik i Irakut, Al Abadi tha: “Dje, ishim ballë për ballë me kërcënim ekzistencial. E mundëm DEASH-in i cili dëshironte të zhdukë jetën dhe njerëzimin. Megjithatë, dua të paralajmëroj për sulmet potenciale terroriste. Sepse ideologjia e kësaj organizate ende është e pranishme”.

“Përpiqemi të shkatërrojmë rrjetin terrorist” u shpreh Al Abadi dhe shtoi se për këtë arsye duan të fuqizojnë raportet me vendet e rajonit.

“Nafta nuk është themelore, duam të jetë burim dytësor”

Duke bërë të ditur se dëshirojnë që vendi të ketë edhe burime të tjera pos naftës dhe se vazhdojnë punimet në këtë drejtim, Al Abadi tha: “Nafta nuk është themelore, duam që të jetë burim dytësor”.

Ai përmendi dhe naftën e Kirkukut për të cilën tha se: “Prodhimi i naftës do të rritet pas bashkimit të fushave të naftës në qarkun e Kirkukut. Edhe krahas sulmeve terroriste, prodhimi i naftës nuk është zvogëluar, përkundrazi është rritur”.

Ndryshe, DEASH, i cili tanimë është tërhequr nga rajonet e Irakut ku ishte i pranishëm, në disa lokacione të vendit, herë pas here kryen sulme duke vendosur kurthe ndaj forcave të sigurisë.