Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Fond i Ekselencës do të mbështesë iniciativat e shumta zhvillimore.
Këto komente kreu i ekzekutivit i ka bërë gjatë një takimi lidhur me mekanizmin që do të themelojë Qeveria e Kosovës.
Aty u diskutua për mbështetjen e mundshme nga donatorët e ndryshëm.
“Një fond i tillë do të mbështesë iniciativat tona të shumta zhvillimore, do të përshpejtojë reformën në sektorin tonë publik dhe do të na ndihmojë të arrijmë objektivat tona prioritare si vend”, ka deklaruar Kurti.
“Dikush mendon që ky synim është shumë ambicioz, por kështu janë ëndrrat dhe shpresat e qytetarëve tanë. Duhet të synojmë diçka më të mirë, më të madhe dhe të punojmë pa u lodhur drejt arritjes së saj, ndryshe puna jonë bëhet e rëndomtë”.
“Po, ne mund të mbërrijmë përmirësime kozmetike aty këtu, por jo transformimin që i duhet vendit tonë”, pohoi Kurti.
“Aktualisht jemi në procesin e përditësimit të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit (SKZh) dhe objektiv yni është konsolidimi dhe integrimi i të gjithë mekanizmave të rëndësishëm të planifikimit në një plan të vetëm”.
Në kuadër të këtyre ndryshimeve janë paraparë katër shtylla kryesore: rritja e shpejtë dhe e qëndrueshme ekonomike, zhvillimi i barabartë njerëzor, siguria dhe sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë. /Insajderi.com