Mark Grenon dhe djali i tij, Joseph Grenon, u arrestuan në Kolumbi dhe pritet të ekstradohen në SHBA për shitje të zbardhuesit si kurë për Coronavirus-in që Trump kishte përmendur në një konferencë.
“Kryepeshkopi” i vetëquajtur i një kishe të supozuar në Florida që shet zbardhues industrial si një “kurë mrekullibërëse” për Covid-19 është arrestuar me djalin e tij në Kolumbi dhe përballet me ekstradim në SHBA, shkruan The Guardian, transmeton Insajderi.
Zyra e prokurorit tha se Mark Grenon dhe djali i tij Joseph Grenon ishin marrë në paraburgim me dyshimin se kishin shitur një “kurë mrekullibërëse” që kishte shkaktuar vdekjen e shtatë qytetarëve amerikanë.
Arrestimi i Grenon-ëve vjen një muaj pasi “kryepeshkopi” i “kishës” të Zanafillës II, si dhe tre djemtë e tij, u akuzuan nga autoritetet federale në Florida se shisnin një substancë që nuk është aprovuar për përdorim mjekësor dhe që mund të jetë kërcënues për jetën.
Substanca, dioksidi i klorit, është një zbardhues i fuqishëm që përdoret në prodhimin e tekstilit. Familja e tregtonin si “kurë të mrekullueshme minerale” ose MMS për të cilën ata thonë se kur pihet e holluar me ujë mund të kurojë pothuajse të gjitha sëmundjet, përfshirë Covid, kancerin, HIV/AIDS si dhe autizmin. /Insajderi.com