Luftimet në provincën e Aleppos në Siri tashmë kanë marrë përmasa edhe më të rrezikshme dhe si pasojë janë zhvendosur 50 mijë njerëz, ka paralajmëruar Komitetit Ndërkombëtarë i Kryqit të Kuq (ICRC).
Situata humanitare po përkeqësohet në shpejtësi të madhe, ka shtuar ICRC, pasi që u ndalua edhe furnizimi me ujë në qytetin Aleppo, raporton BBC.
Qeveria e Sirisë po përpiqet që të kthejë kontrollin mbi vendet e mbajtura nga rebelët dhe po shfrytëzon mbështetjen që ka nga forcat ajrore të Rusisë.
Turqia në anën tjetër është nën presion që të lejojë 30 mijë refugjatë të hyjnë brenda kufijve të saj.
Në një njoftim, ICRC ka njoftuar se rrugët për furnizim dhe ndihma janë mbyllur, duke vënë civilët nën një presion të tmerrshëm.
“Temperaturat janë jashtëzakonisht të ulëta dhe njerëzit civilë aty po përpiqen të mbijetojnë në kushte shumë të këqija, pa furnizime adekuate të ushqimit, ujit dhe strehimit”, ka thënë Drejtoresha e ICRC për Sirinë, Marianne Gasser, raporton Insajderi
Medicins Sans Frontieres (MSF) ka paralajmëruar se luftimet në Azaz, afër kufirit me Turqinë, kanë lënë pasoja në sistemin e ndihmave dhe ky sistem është pranë shkatërrimit.
“Ka rrezik qe njerëzit, duke përfshirë këtu edhe fëmijë të vegjël dhe njerëz të shtyrë në moshë, mund të përballen me jetën në kushte shumë të këqija për disa ditë”, ka thënë Muskilda Zancada nga MSF.
Më shumë se 300 mijë njerëz janë zhvendosur dhe më shumë se 500 njerëz,në mesin e të cilëve shumica civilë të paarmatosur kanë mbetur të vrarë që nga fillimi i operacionit të Forcave Qeveritare të Sirisë në Aleppo.
Ndërkaq, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të mbajtur të mërkurën, fuqitë botërore edhe njëherë i kanë kërkuar Rusisë që të ndalojë sulmet ajrore si pjesë e mbështetjes për Sirinë.
Këto kërkesa kanë ardhur pak para takimeve të palëve kryesore në Munich të Gjermanisë, me qëllim për rifillimin e negociatave për paqe.
“Regjimi Sirian dhe aleatët e saj nuk mund të pretendojnë se janë duke zgjatur dorën e tyre ndaj opozitës derisa me dorën tjetër ata po përpiqen t’i shkatërrojnë ata”, ka thënë Ambasadori i Francës në Kombet e Bashkuara, Francois Delattre.
Por Ambasadori i Rusisë në OKB, Vitaly Churkin ka thënë se shteti i tij nuk do të ndihet “në faj” për aksionet e tyre.
Ai ka akuzuar anëtarët e Këshillit të Sigurimit për shfrytëzimin e situatës humanitare për interesat e tyre politike.
Rusia thotë se ata po godasin sipas tyre terroristët, por, Fuqitë e Perëndimit thonë se ato janë shfrytëzuar për të goditur grupet opozitare të cilat po luftojnë qeverinë e Sirisë./Insajderi.com