Kuka kërkon themelimin e Këshillit Kombëtar të Sportit

Kuka kërkon themelimin e Këshillit Kombëtar të Sportit

Trajneri i mirënjohur kosovar i xhudos, Driton Kuka, ka bërë thirrje të martën për themelimin e Këshillit Kombëtar të Sportit në Kosovë, për të cilin ka thënë se duhet të ndërtohet me kritere dhe jo me vota, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Kuka ka thënë se një numër shumë i vogël i federative sportive në vend është serioz në prezantim ndërkombëtar.

“Këshilli Kombëtar i Sportit domosdoshmëri! Me njerëz me kredibilitet të lartë personal, me bagazh të sportistit e jo turistit. Organizatat sportive janë mbushur me njerëz që askush s’i njeh për kontribut në sport dhe kjo është bërë trend”, ka thënë Kuka, derisa është ankuar edhe për analizën që u bëhet performancave të federatave sportive.

“Disa garues shkojnë në Kampionate Evropiane e Botërore dhe raportohet se janë thyer rekordet e Kosovës. Pse ky fenomen, atje shkohet të garohet me shtete tjera e jo e kundërta”, ka shtuar ai.

Sipas Kukës, përmes një Këshilli Kombëtar të Sportit do të bëhej një analizë më e mirëfilltë se sa sporte kanë fituar medalje e sa mjete ndahen nëpër federata për sportistë e trajnerë.

Në fund e ka quajtur “hajgare” kategorizimin e sporteve vetëm me rezultat elitar. /Insajderi.com