“Kur të kualifikohemi në Botëror do ta kuptojmë vlerën e Bunjakit”

“Kur të kualifikohemi në Botëror do ta kuptojmë vlerën e Bunjakit”

Amir Rrahmani ka falënderuar ish-përzgjedhësin e Kosovës Albert Bunjaki për, siç ka thënë mbrojtësi i Dinamos së Zagrebit, punën e madhe që ka bërë me përfaqësuesen e Kosovës.

Mbrojtësi kosovar ka thënë se puna e bërë nga Bunjaki do të reflektohet atëherë kur Kosova do të marrë pjesë në ngjarje madhore të futbollit, siç janë Evropiani dhe Botërori.

“Një ditë kur të kualifikohemi në Evropian ose Botëror do e dijmë se sa ka punu për këtë Përfaqësuese trajneri jonë. Më vjen keq që nuk do jetë me trajner, do doja ta shijonim një sukses të madhe bashkë.
Por kështu është futbolli”, ka thënë Rrahmani, raporton Insajderi.

Për Rrahmanin, Bunjaki do të mbetet gjithmonë njeri i veçantë për të

“Kemi kaluar një vit që nga ndeshja e parë kualifikuese, kemi kaluar çdo gjë, gëzime dhe më shumë zhgënjime nga rezultatet. Askush nuk e di se çfarë vështirësi kemi kaluar këtë vit. Imagjinojeni ky ishte viti historik i Kosovës dhe po them për vështirësitë. Për mua do të jetë një njeri i veçantë në jetën time”, ka thënë qendërmbrojtësi i Kosovës.

Kosova i përfundoi në vendin e fundit kualifikimet për Kampionatin Botëror. Përfaëqsuesja kosovare ishte në një grup me Kroacinë, Finlandën, Turqinë, Islandën dhe Ukrainën.