Kurz: BE të ndërpresë imponimin e rregullave

Kancelari austriak Sebastian Kurz, dy javë para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, ka shkaktuar reagime të ashpra me paralajmërim se do t’i shfuqizojë madje 1.000 rregulla të BE-së.

Kurz: BE të ndërpresë imponimin e rregullave

Kurz, në një intervistë për të përditshmen vjeneze “Oesterreich” ka thënë se është mjaft me “rregullat e çmendura të BE”, dhe se është mjaft me imponimin e rregullave nga Brukseli.

Ai ka theksuar se ka për qëllim t’i fshijë 1.000 rregulla të BE, siç është rregulli i panevojshëm mbi “stekun apo pomfritin”, me të cilat Brukseli e përcakton se si duhet të duken këto ushqime.

“Askush nuk ka nevojë që Brukseli të përcakton se si përgatitet një stek”, ka theksuar Kurz, duke shtuar se BE duhet të merret me përgjigjet ndaj sfidave të mëdha siç janë mbrojtja e kufijve të jashtëm, siguria apo ndryshimet klimatike.

Sipas fjalëve të tij, projekti i paqes Evropa, po bëhet “një hapësirë gjithnjë më e ngushtë burokratike”, për qytetarët. Ai ka shprehur bindjen se kandidati i Partisë Popullore të Evropës (EVP) Manfred Weber do të arrijë ta realizojë qëllimin e tij – zvogëlimin e burokracisë në Bruksel.

Kurz ka theksuar se është e nevojshme, nëse dëshirohet të fitohet përkrahja e qytetarëve për BE, të ndalet imponimi burokratik nga Brukseli. Kërkesa e tij është përballur me kritika të ashpra të opozitës, e cila ka vlerësuar se kancelari është kundër BE-së./Insajderi.com.