Në rast se nuk jeni në dijeni, ylli i arteve marciale UFC Conor McGregor do të ndeshet me Floyd Mayweather pas vetëm disa orësh, në meçin që është përshkruar si ‘Lufta e Shekullit’.
Ikona e UFC-së do të bëjë ndalesën e tij të parë në boksin profesional pas një karriere nëntëvjeçare në artet e përziera marciale.
I njohur me nofkën ‘The Notorious’, McGregor, 28-vjeçar, do të vihet përballë Floyd ‘Money’ Mayweather në një betejë që pritet të jetë fitimprurëse për të dy luftëtarët.
Lindur dhe rritur në Dublin, Irlandë, McGregor është bërë shpejt atleti më i njohur i UFC-së që prej debutimit të tij në ringun tetëkëndësh në vitin 2013, raporton gazeta britanike The Telegraph, njofton Insajderi.
Pas dy viteve të luftimeve në të gjithë Irlandën, presidenti i UFC-së Dana White udhëtoi për në Irlandë dhe nënshkroi kontratë me McGregor për ndeshjen e tij të parë kundër Marcus Brimage – ndeshje që u zhvilluar në prill të vitit 2013.
Revista Forbes e renditi McGregorin si atletin e 24-të më të paguar në botë, në listën e atletëve më të paguar të vitit 2017.
Sipas Forbes, irlandezi fitoi 27 milionë dollarë në vitin 2016 nga luftimet në UFC dhe marrëveshjet e sponsorizimit.
“Ylli i UFC-së, McGregor u ndesh dy herë gjatë 12 muajve të fundit, duke përfshirë njërën prej dy ndeshjeve më fitimprurëse të UFC-së ndonjëherë”, tha Forbes në artikullin e saj për irlandezin që është kthyer në simbol të popullit të tij.
Ashtu si Mayweather, McGregor ka fituar një reputacion edhe si shoumen – si brenda oktagonit, ashtu edhe jashtë tij.
Ai është kampion i peshave të lehta të UFC-së (kompeticioni kryesor i arteve të përziera marciale) dhe mbetet luftuesi i vetëm në historinë e UFC-së që ka mabjtur dy breza në dy divizione të ndryshme në të njëjtën kohë.
McGregor mban rekordin për nokautimin më të shpejtë të UFC-së, kur ai mundi Jose Aldo në vetëm 14 sekonda. /Insajderi.com