Kush është gangsteri i cili e shokoi botën me arratisje spektakolare

Kur edhe ministrja e drejtësisë pranon se keni kryer në “arratisje spektakolare nga burgu”, atëherë vërtet keni bërë diçka të pazakontë. Pra, javën e kaluar gangsteri i papërmirësueshëm francez Redoine Faid iku nga burgu në vendin Reau në një aksion i cili – aspak rastësisht – përkujton në ndonjë skenar të Holivudit.

Kush është  gangsteri i cili e shokoi botën me arratisje spektakolare

Gjithçka nuk zgjati as 10 minuta. Në orën 11:15 mbi burgun “Centre penitentiaire du Sud Francilien”, jo larg Parisit u paraqit një helikopter për të cilin më vonë u konstatua se ishte grabitur bashkë me pilotin e tmerruar.

Helikopteri qëndronte shumë ulët mbi një oborr i cili nuk ishte i mbrojtur me rrjete anti aeroplan dhe nga ai kërcyen dy burra të veshur me të zeza, me shirita të policisë nëpër duar dhe me kallashnikovë në duar. Komandoja e tretë ka mbetur në helikopter në mënyrë që nën kërcënim me armë ta mbajë pilotin e frikësuar, njeriu i cili atë mëngjes kishte filluar me plan të mbajë kurse të fluturimit, dhe tani ishte gjendur në rolin e pjesëmarrësit me dhunë në një vepër të rëndë penale, si drejtues i mjetit për arratisje.

Ishte e qartë se dy kriminelë ishin të njohur shumë mirë me detajet e planit të burgut, të cilët vrapuan në korridor të cilin e përdorin vetëm gardianët në raste emergjente. Me ndihmën e sharrës për metal e thyen derën e kyçur dhe arritën në dhomë për vizita. Në atë moment Faid ishte duke biseduar me njërin nga vëllezërit e tij i cili i kishte ardhur në vizitë. Edhe pse gjithmonë janë në detyrë dy gardianë të cilët i mbikëqyrin vizitat, të dielën punonte vetëm një.

Në dallim prej shpëtimtarëve të Faidit, ky gardian ishte i paarmatosur. Kjo është masë e sigurisë për të shmangur shkëmbimin e zjarrit në rast se dikush prej të burgosurve arrin ta marrë ndonjë peng. Natyrisht, gardiani i vetmuar nuk mundi t’i ndalë kriminelët të cilët gjuajtën një bombë tymi për t’i mjegulluar kamerat e sigurisë, e morën Faidin dhe u larguan nëpër rrugë të njëjtë me të cilën kishin ardhur. Pasi të gjithë hipën në helikopter ai u ngrit në ajër pa ndonjë problem. Askush nuk qëlloi në të nga oborri i burgut edhe pse gardianë shikonin se si po largohet helikopteri. Konsiderohet se kanë pasur urdhër të mos gjuajnë në mënyrë që të mos e rrezikojnë jetën e pilotit, njeriut të pafajshëm, si dhe të mos rrezikohet që fluturakja të bie mbi ndërtesë të burgut.

Diçka më vonë, helikopteri është gjetur në Gonsseu, afër aeroportit Charles de Gaulle, pjesërisht i djegur. Në ndërkohë i humbin të gjitha gjurmët e Redoine Faidit dhe ndihmësve të tij, atje u gjet edhe një Renault Megane i cili gjithashtu ishte djegur. Pilotin e kishin liruar të palënduar, edhe pse ishte në shok të thellë.

Arratisja e Faidit për të ishte sigurisht kulminacioni i karrierës së tij bizare-kriminale-evangjeliste. Ky gangster 46 vjeç është lindur në një familje algjeriane e cila jetonte rreth 40 kilometra afër Parisit. Më vonë vetë ka pohuar se ka filluar të vjedhë dhe të shesë drogë prej moshës tetë vjeçe, dhe më vonë aksionet e veta të vjedhjes filloi t’i modelojë sipas filmave të cilat i pëlqenin. Kështu në vitet e hershme të 1990-ta e ka kryer një prej plaçkitjeve të para duke u bazuar në filmin “Point Break” me Keanu Reeves dhe Patrick Swayze. Në atë film një grup i surfistëve plaçkitë banka me maska me fytyra të presidentëve amerikan. Ndërsa në rimejkun e Faidit, ai dhe banda e tij shkonin në plaçkitje të maskuar si presidentët francez Charles de Gaulle dhe Giscard d’Estaing.

Aksion të ngjashëm ka kryer edhe në vitin 1997 kur bashkë me bandën e vet në vendin Villepinte e sulmoi një kombi të blinduar për transport të parave. Me atë rast mbanin maskat e hokejit të njohura nga filmi i Michael Maanit “Heat”.

Pikërisht Michael Mann ishte idhulli i tij i preferuar. Ai ka pretenduar se filmin “Heat” ka parë shtatë herë në kinema dhe qindra herë në shtëpi për të analizuar momentet kyçe të plaçkitjes së kombit, ka shkruar Le Figaro.

“Kohë më parë më kanë pyetur gazetarët: “Ke bërë karrierë të madhe kriminale dhe gjithçka ke bërë vet, vet i planifikoje të gjitha?”. Unë kam thënë: “Jo, kam pasur këshilltar teknik, profesor fakulteti, një lloj mentori, dhe emri i tij është Michael Mann”, ka thënë me një rast Redoine Faid, derisa ende bënte karrierë sharmante të plaçkitësit të reformuar, mysafirë në shumë emisione televizive dhe konsulent i filmave.

“Me miqtë e kam parë filmin e tij si një material për trajnim për atë se çfarë duhet dhe çfarë nuk guxojmë të bëjmë në mënyrë që të bëhemi banditë të suksesshëm”, ka thënë në një intervistë.

Mirëpo nuk është Mann “këshilltari” i vetëm i tij, ai ka gjetur frymëzim edhe në filmat e Quentin Tarantinos, e sidomos në filmin “Reservoir Dogs”.

“Pa filma, kishit pasur 50 për qind më pak krime”, ka thënë një herë Faid.

Më shumë se 300 xhandarë francez tani po e kërkojnë Faidin, por e kanë vetëm një xhirim nga kamerat e sigurisë në të cilin shihet – ndoshta – Faid i ulur në ulësen e udhëtarit në kombi të bardhë i cili është duke dalë nga një qendër tregtare në veri të Parisit. Ekziston edhe një teori se ndoshta Faid përpiqet të shkojë në Izrael, i cili e do shumë këtë vend.

Ndoshta se një herë është arratisur në këtë vend, pas një plaçkitjeje të dështuar në vitin 1997. Atëherë pretendohet se i ka ikur policisë i maskuar si çifut ortodoks, e më pas edhe ka mësuar hebraisht, u lidh me mafinë lokale dhe mësoi taktikën ushtarake nga një ish specialist izraelit./Insajderi.com.