Kush është Mitch McConnell që e udhëheqë gjykimin për shkarkimin e Trumpit

Kushtetuta amerikane kërkon që Senati të jetë përgjegjës për mbajtjen e një gjyqi për shkarkimin e presidentit. Por nuk thotë asgjë për mënyrën se si duhet të zhvillohet gjykimi. Ndërsa ekzistojnë disa rregulla që janë përcaktuar për këtë gjykim, drejtimi i tij më tej do të përcaktohet nga udhëheqësi i shumicës në Senati, Mitch McConnell.

Kush është Mitch McConnell që e udhëheqë gjykimin për shkarkimin e Trumpit

Pas kësaj thirrjeje me fjalë të buta qëndron një realitet i vështirë: Mitch McConnell ka pushtetin të përcaktojë rrjedhën e gjyqit të fajësimit të Presidentit Donald Trump. Dhe McConnell është i njohur për kontrollin e vendosur të republikanëve.

U desh një jetë e tërë shtrëngimi duarsh, shkëmbime favoresh dhe fitore në zgjedhje që McConnell të arrinte qëllimin e tij të përjetshëm për të qenë udhëheqësi i shumicës së Senatit amerikan.

Lindur në Alabama, McConnell mposhti poliomielitin në fëmijëri para se të shkonte të jetonte në Kentaki kur ishte 14 vjeç. Në moshën 22 vjeçare, ai u bë praktikant në Senatin amerikan.

Rrugëtimi i McConnell për në krye të Senatit filloi në vitin 1984, duke mposhtur rivalin demokrat me rreth 5,000 vota, dhe duke u bërë i pari republikan që fitoi zgjedhjet në Kentaki në 16 vjet.

Zgjedhja si senator ishte qëllimi i tij i vetëm. Pasi mbërriti aty, McConnell i vuri syrin pozicionit udhëheqës. Përpjekjet e tij për të mposhtur përpjekjet e demokratëve për të kufizuar kontributet dhe shpenzimet në fushatë i dhanë ati një emër të mirë mes republikanëve.

“Askush nuk e njeh Senatin më mirë sesa Mitch McConnell. Ai ka qenë atje për një kohë të gjatë. I njeh nevojat dhe interesat e senatorëve të ndryshëm, veçanërisht në anën republikane”, thotë Darryl West me Institutin Brookings.

Kur republikanët ishin në pakicë, McConnell zotëroi rregullat e ndërlikuara të Senatit. Mes tyre: ai që njihet si “filibuster”, – procesi që lejon çdo senator të flasë në sallën e Senatit për aq kohë sa të jetë e mundur fizikisht, në përpjekje për të mos miratuar ose ndryshuar një ligj.

Mundësia e McConnell për të bllokuar përpjekjet e demokratëve u shpërblye nga republikanët e Senatit, të cilët e zgjodhën si drejtuesin e tyre në vitin 2007.

Kur demokrati Barack Obama u zgjodh president në vitin 2008, McConnell ishte vija e parë e mbrojtjes së republikanëve. Në vitin 2010, ai nuk maskoi qëllimin e qartë të republikanëve – duke bërë një deklaratë që e bëri zotin McConnell të famshëm në partinë e tij dhe duke nxitur një reagim të irrituar nga demokratët.

“Gjatë javës së kaluar, disa thanë se u tregova pa takt kur sugjerova që përparësia jonë kryesore politike gjatë dy viteve të ardhshme duhet të ishte mohimi i Presidentit Obama për një mandat të dytë”.

Obama fitoi rizgjedhjen, por McConnell përfundimisht pati fjalën e fundit në vitin 2016, kur refuzoi të caktonte një seancë apo votim për zgjedhjen e të emëruarit të Obamës, Merrick Garland për një post në Gjykatën e Lartë. Ky vend bosh – dhe shumë të tjerë në të gjithë sistemin e gjykatave federale – – u plotësuan pasi u zgjodh presidenti republikan Donald Trump.

Tani, Trumpi përballet me një gjykim për shkarkim në Senat. Si drejtues i shumicës, McConnell ka votat për të hartuar procedurat. Ai ka pranuar se po koordinon strategjinë me avokatët e zotit Trump, duke u thënë gazetarëve se “nuk është një gjykatës i paanshëm pasi ky është një proces politik”.

“Motivimi kryesor i McConnell është mbajtja e kontrollit të shumicës së Senatit nga republikanët. Pothuajse çdo vendim që ai merr është nga ai këndvështrim … “, thotë Darryl West.

Ndërkohë që disa senatorë republikanë përballen me fushata të vështira për rizgjedhje në shtete të tilla si Mejn, Kolorado dhe Arizona, drejtimi i senatorit McConnell për politikën e gjykimit mund të përcaktojë nëse ai do të vazhdojë ta mbajë postin e ëndrrave të tij si drejtues i shumicës në Senat.