Kuvendi i Podujevës miraton dy rregullore dhe rialokon buxhetin për vitin 2019

Kuvendi i Podujevës miraton dy rregullore dhe rialokon buxhetin për vitin 2019

Kuvendi i Komunës të Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar Rregulloren për Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Podujevës, Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave në Komunën e Podujevës si dhe vendimin për riaolokimin e buxhetit të Komunës për vitin 2019.

Sipas njoftimit për media në mbledhjen e rregullt, të cilën e udhëhoqi kryesuesi Fatmir Gashi, e ku ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari dhe drejtorët e drejtorive, Kuvendi ka shqyrtuar Draftstrategjinë për Zhvillimin e Turizmit 2019-2021 në Komunën e Podujevës; Propozim Rregulloren për Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Podujevës; Propozim Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave në Komunën e Podujevës; Propozim vendimin për rialokimin e buxhetit të Komunës për vitin 2019; Raportin financiar për periudhën janar-shtator 2019 dhe informatën e përgjithshme të Drejtorisë së Administratës për Sektorin e Gjendjes Civile për periudhën janar-shtator 2019.

Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik, Mirsad Kamerolli, ka prezantuar Draftstrategjinë për Zhvillimin e Turizmit 2019-2021 në Komunën e Podujevës.

“Pas diskutimeve lidhur me këtë pikë, Kuvendi mori vendim që Strategjia për Zhvillimin e Turizmit 2019-2021 në Komunën e Podujevës të vihet në diskutim publik nga data 31.10.2019 deri më 29.11.2019, kurse debati publik me qytetarë të mbahet më 15.11.2019 në orën 11:00 në sallën e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, drejtori i drejtorisë së Planifikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Hamdi Jaha, prezantoi para këshilltarëve komunalë Propozim Rregulloren për Mbrojtjen e Mjedisit në Komunë e Podujevës, të cilën pas diskutimeve e miratoi Kuvendi.

Kurse drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, prezantoi në Propozim Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave në Komunën e Podujevës, e cila pas diskutimeve u miratua nga Kuvendi.

Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, prezantoi propozim vendimin për rialokimin e Buxhetit të Komunës së Podujevës për vitin 2019.

“Në bazë të këtij propozimi është paraparë të rialokohen mjetet për investime kapitale nga granti qeveritar në vlerë prej 402,115.00 euro, të cilat do të ndahen në projekte dhe kode të tjera infrastrukturore. Kuvendi, pas diskutimeve lidhur me këtë pikë, miratoi vendimin për rialokimin e buxhetit të Komunës së Podujevës për vitin 2019”, vijon njoftimi.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, prezantoi edhe raportin financiar për periudhën janar-shtator 2019.

“Sipas raportit të prezantuar në periudhën janar-shtator, nga buxheti i Komunës që sivjet është në vlerë prej 22,032,619 euro, janë shpenzuar 13,113,386 euro. Prej tyre, për paga dhe mëditje janë shpenzuar 8,894,452 euro, për mallra e shërbime 833,224 euro, për shpenzime komunale 234,166 euro, subvencione dhe transfere 189,981 euro dhe për shpenzime kapitale 2,961,563 euro”, përfundon njoftimi.

Në mbledhjen e sotme, drejtori i Drejtorisë së Administratës, Gëzim Namani, ka prezantuar informatën për Sektorin e Gjendjes Civile për periudhën janar-shtator 2019.