LeBron James i pëgjigjet sulmuesit suedez Ibrahimoviç

LeBron James i pëgjigjet sulmuesit suedez Ibrahimoviç

Superylli amerikan i basketbollit LeBron James kritikoi futbollistin suedez Zlatan Ibrahimoviç për kritikat lidhur me aktivizmin e tij politik, njofton Insjderi.

“Më pëlqen shumë (James). Ai është fenomenal në atë që bën. Por nuk më pëlqen kur njerëzit me një lloj statusi, shkojnë dhe bëjnë politikë në të njëjtën kohë”, tha Ibrahimoviç të enjten në një intervistë me “Discovery+” në Suedi.

“Bëni atë në të cilën jeni të mirë. Bëni atë të kategorisë që jeni. Unë luaj futboll sepse jam më i miri në lojë futbolli. Unë nuk bëj politikë. Nëse do të kisha qenë një politikan, do të bëja politikë”, u shpreh sulmuesi 39-vjeçar i Milanit.

“Ky është gabimi i parë i madh që njerëzit bëjnë kur bëhen të famshëm dhe hyjnë në një status të caktuar. Qëndro larg kësaj. Thjesht bëj atë që je më i miri sepse nuk i ngjanë”, shtoi ai.

Basketbollisit 36-vjeçar, James, ishte i shpejtë në përgjigjen e tij me anë të një video pas fitores së Los Angeles Lakers-it të premten vonë në ndeshjen e rregullt të NBA-së.

“Në fund të fundit, unë kurrë nuk do të heshtja për gjëra që nuk janë në rregull. Unë predikoj për njerëzit e mi dhe predikoj për pabarazi, padrejtësi shoqërore, racizëm, shtypje sistematike të votuesve […] Unë jam zëri i tyre”, tha ai.

“Unë përdor platformën time për të vazhduar të hedh dritë mbi gjithçka që mund të ndodhë jo vetëm në komunitetin tim, por në gjithë këtë vend dhe në të gjithë botën. Nuk ka gjasë që unë ndonjëherë t’i përmbahem vetëm sportit sepse e kuptoj këtë platformë dhe e di se sa është i fuqishëm zëri im”, shtoi ai.

Superylli i Lakers-it gjithashtu vuri në dukje qëndrimin e Ibrahimoviç ndaj racizmit në të kaluarën.

“Unë besoj se në vitin 2018 ai ishte i njëjti djalë që tha kur u kthye përsëri në Suedi, ai po fliste për të njëjtat gjëra sepse mbiemri i tij nuk ishte një mbiemër i caktuar, ai ndjeu sikur kishte racizëm kur ishte jashtë fushe”, tha James.

Ibrahimoviç dhe James ishin të angazhuar profesionalisht në Los Angeles për një periudhë të shkurtër kur ylli suedez i futbollit u transferua tek LA Galaxy deri në nëntor 2019, ndërsa James luante për Lakers-in nga korriku 2018.

Të dy janë të njohur si sportistë të hapur për media, ndësa James shquhet si aktiv për padrejtësitë sociale dhe çështjet racore në SHBA.

James, të cilin shumë lojtarë e konsiderojnë si “simboli i NBA-së”, ka promovuar në mënyrë aktive ndërgjegjësimin shoqëror kundër pabarazisë dhe racizmit, ndërsa mbështet zhvillimin në komunitetet e pa privilegjuara.

Ai gjithashtu ka qenë i angazhuar në filantropi përmes bamirësisë që themeloi duke hapur një shkollë, kompleks strehimi, qendër komunitare dhe një qendër tregtare me pakicë në qytetin e tij të lindjes Akron, Ohio.

Kur prezantuesja televizive republikane Laura Ingraham në vitin 2018 i tha James-it dhe lojtarëve të tjerë të NBA-së të qëndronin jashtë politikës, duke thënë se ata duhet të “heshtnin dhe driblonin”, James krijoi një seri dokumentare me të njëjtin titull, duke shqyrtuar rolin dhe ndikimin e sportistëve në politikën dhe kulturën amerikane. /Insajderi.com