Pavarësisht humbjes, ndeshja e përfaqësueses kosovare ndaj Kroacisë në Zagreb është vlerësuar si “e guximshme”. Këtë vlerësim e ka dhënë, as më pak e as më shumë, se një nga gazetat më të mëdha sportive të botës; ajo L’Equipe e Francës.
“Kroacia mposhti në fund një Kosovë të guximshme”, shkruante në titullin e L’Equipe, në artikullin e publikuar pas takimit mes Kroacisë dhe Kosovës.
“Ndeshja mes Kroacisë dhe Kosovës, e cila u ndërpre nga shira të forta në Zagreb të shtunën në mbrëmje, rifilloi të dielën në orën 14.30. Kosova, e cila merr pjesë për herë të parë në kualifikimet e Kupës së Botës, rezistoi mirë”, shkruan L’Equipe.
Madje, si për të treguar se Kosova zhvilloi ndeshje të mirë në mbrojtje ndaj një kundërshtari të fortë si Kroacia, L’Equipe thekson faktin se treshja kroate Modriç, Rakitiç dhe Mandzukiç nuk realizoi asnjë gjuajtje drejt portës, në pjesën e parë të takimit.
“Në pjesën e parë, Berisha (Salzburg) pati rastin më të mirë në minutën e 38-të, e treshja e Kroacisë Modriç, Rakitiq dhe Mandzukiç nuk regjistruan asnjë gjuajtje drejt portës”, shkruhet në artikullin e gazetës franceze.
Kosova u mposht me rezultat minimal 1 me 0 nga Kroacia, me golin e vetëm që e shënoi mbrojtësi Domingoj Vida në minutën e 76-të. Pas kësaj humbje, Kosova mbetet me vetëm një pikë të grumbulluar në këto kualifikuese të Botërorit. /Insajderi.com